Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese rrezikojmë ndërprerjen e bisedimeve me BE-në, paralajmëroi Osmani

Mos bërja e ndryshimeve kushtetuese mund të sjell ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kështu ka deklaruar sot ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

Osmani duke theksuar se deri në nëntor duhet të përfundojnë ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe nëse kjo nuk bëhet do të pasohet me efekte negative.

“Nëse nëntori na nxë pa përfunduar ndryshimet kushtetuese, do të ndërpriten bisedimet, do ta humbasim momentin, ndërsa humbja e momentit është një nga punët më të këqija që mund të na ndodhin në rrugën evropiane”, tha mes tjerash Osmani.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, së fundmi deklaroi se për momentin nuk ka shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, në momentin kur do të konsiderojnë se i kanë kushtet për të nisur një iniciativë, ai do të jetë i gatshëm si kryetar i Komisionit dhe i Kuvendit të veprojë sipas procedurës, pasi të merret iniciativa më tutje.

Nga VMRO-DPMNE kanë theksuar se mbeten të qëndrimit se nuk i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Ata në një konferencë për media theksuan se si parti mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se nëse do të ketë zgjedhje, në programin e tyre parazgjedhor do të deklarojnë në mënyrë të detajuar se si do të vazhdojë vendi në atë rrugë.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme ka deklaruar se këto duhet të diskutohen në takim të liderëve të partive parlamentare që të arrihet në një dakordësi të përbashkët.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh ka deklaruar se për të është e qartë se vendimi i deputetëve në Kuvend për ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë i lehtë, por nga ta pret që të tregojnë sjellje burrështetasish. Ajo që është e qartë sipas kryeministrit, është se deputetët kanë zgjedhjen ta lënë vendin në stagnim ose të marrin një vendim për një të ardhme më të mirë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button