MPJ për 100.000 euro angazhoi agjenci PR për të promovuar presidencën e OSBE-së

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) do të shpenzojë rreth 100.000 euro për aktivitetet e marrëdhënieve me publikun për kryesimin e Maqedonisë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Më 1 janar, Maqedonia filloi presidencën e saj me OSBE-në, organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, e cila përfshin 57 vende pjesëmarrëse nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Për këtë qëllim është lidhur marrëveshje me Shoqërinë për aktivitete menaxhuese dhe këshilluese agjencinë “Rating SP-M” DOOEL për 6.100.000 denarë. Në tender thuhet se shërbimet e komunikimit strategjik janë të nevojshme në pritje të kryesimit të OSBE-së, raporton Sdk, transmeton Portalb.mk.

MPJ shpenzon paratë e qytetarëve për agjenci PR, pavarësisht se Ministria ka shërbimin e saj të marrëdhënieve me publikun, dhe qeveria punëson dhe angazhon njerëz për PR, fotografë dhe incizues.

Sipas Sistemit Elektronik për Prokurim Publik, tenderi është shpallur më 29 shtator 2022, hapja publike e ofertave ka qenë më 1 nëntor, ndërsa vendimi për fituesin e përzgjedhur të tenderit është marrë më 12 dhjetor.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se mbulimi i një numri të madh të çështjeve që kanë të bëjnë me kryesimin e OSBE-së nënkupton rritjen e ndjeshme të nevojave për komunikim dhe për këtë arsye përmes një procedure transparente tenderimi kanë angazhuar një operator të veçantë ekonomik.

“Përveç rolit politiko-ndërkombëtar, kryesimi i OSBE-së paraqet edhe një mundësi të veçantë për promovimin e përgjithshëm social, politik, kulturor dhe turistik të vendit. Prandaj, çdo vend kryesues deri më tani është përballur me sfidën e brendimit të duhur të vetë Presidencës, me qëllim të promovimit të vendit dhe veçorive të tij në skenën politike ndërkombëtare dhe publikun e përgjithshëm ndërkombëtar. Sipas agjendës së vetë Presidencës, shumica e aktiviteteve do të drejtohen jashtë, me fokus të veçantë në vendet e rajonit të OSBE-së. Nën sloganin “Punohet për popullin”, qëllimi i aktiviteteve do të jetë të evidentohet roli i vendit në promovimin e politikës së dialogut; krijimin dhe sigurimin e mbështetjes për një narrativë politike rreth rolit të OSBE-së në zgjidhjen e konflikteve dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë; mbështetje për zgjerimin e numrit, por edhe thellimin e rolit të misioneve në terren në krijimin e stabilitetit të përgjithshëm; rëndësinë e aktiviteteve politiko-diplomatike nga këndvështrimi i gjendjes së popullit”, thonë nga MPJ.

Nga Ministria shtojnë se “sfidë e veçantë e komunikimit është organizimi i ngjarjes më të madhe politike ndërkombëtare që do të mbahet këtë vit në Shkup, e që është Këshilli Ministror i OSBE-së, ku do të jenë 57 ministra të punëve të jashtme të vendeve anëtare”.

Kryesimi i Maqedonisë me OSBE-në do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2023. Ministri Bujar Osmani do ta prezantojë programin e Presidencës së Maqedonisë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë më 12 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button