Për dashurinë ndaj botës sonë… 

Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, duke kujtuar shumë herë se gjuha jonë nuk kishte gjë të shkruar nga shkrimet e shenjta dhe për dashurinë ndaj botës sonë, më 20 mars të motit 1554 filloi ta shkruante librin në shërbim të meshtarëve, të cilin e përfundoi më 5 kallënduor të motit 1555. Pra, pak kohë pas shpikjes së shtypshkronjës nga Gutenbergu. (“Ndë vjetët MDLIV  [1554] njëzet ditë ndër mars zuna n’fill, e mbarova ndë vjetët një MDLV [1555], ndë kallënduor V dit].

Ma e para vepër “mbë gluhët tonë” u gjet më 1743 në Kolegjin e Propagandës Fide nga gjakovari Gjon Nikollë Kazazi, i cili e quajti Meshari. Pas një harrese të gjatë, libri u rizbulua nga arbëreshi Pal Skiroi.

Përkundër shumë studimeve dhe hulumtimeve, studiuesit nuk kanë përgjigje për titullin e librit, të cilit i mungojnë fletët e para. Se si ose pse u grisën fletët, këtë askush nuk e di dhe mbase kurrë s’do ta mësojmë. Ashtu siç nuk dihet as vendi ku u shtyp ky libër, përkundër shumë teorive. Disa autorë, madje, i mundoi dilema nëse libri ishte lejuar për botim nga censura. Studiuesit thotë se libri i Buzukut, megjithatë, nuk rezulton të ketë qenë në indeksin e librave të ndaluar.

Ka pak të dhëna edhe për dom Gjonin, birin e Bdekut ose Benediktit. Dihet se ai, përveç mundit për ta shkruar librin dhe detyrimeve si meshtar, duhej të merrej edhe me punët e shtypshkronjës. Se shtypja e një libri, në këtë periudhë, siç e tha më vonë Pjetër Bogdani, ishte proces shumë i vështirë. Autorët duhej të gjenin edhe shkronja të përshtatshme për fjalët shqipe. Këtë fakt nuk harruan ta përmendin Buzuku dhe Bogdani. (“Përse ata qi shtamponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, përse përherë ndaj ta nuk mundë jeshë”.)

Ndonëse Buzuku e botoi librin kur nuk ekzistonte nocioni komb, që është kategori sociologjike e shekullit XIX, ai kishte ndjenjë të theksuar për origjinën dhe gjuhën e tij. Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet fjalisë: “… tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom n së shkruomit shenjtë, n së dashunit së botëse sanë”. Me këtë ndjenjë e krijoi Mesharin, këtë vepër monumentale për kulturën tonë, nëpërmjet së cilës e dimë si flitej shqipja në shekullin XVI, mësojmë për kulturën e gjerë të autorit, mësojmë se gjuha shqipe ishte aq e kultivuar sa nëpërmjet saj mund të përktheheshin pjesë nga librat e shenjtë. Ata që merren me përkthime e dinë se çfarë mundimi është përkthimi i këtyre librave. Meshari, madje, sipas Eqrem Çabejt, dëshmon se shqipja ishte kultivuar si gjuhë e shkruar edhe para kësaj kohe.

Në këtë libër e gjejmë perlën: “n’së dashunës botës sanë”. I bukur është edhe përkthimi i vargjeve nga “Kënga e Këngëve”.

“Hinje se dimëni shkoi, e shiu vote […]  Ngre e eja, e dashuna eme, e e bukura eme […] banmë u ty të të gjegjem zanë tand, / përse zani uit anshtë i amblë, / e të pamëtë tat anshtë të dëshëruom.”

Dhe mos harrojmë asnjë çast se janë shkruar para 468 vjetëve. As nuk duhet ta harrojmë 5 janarin, sepse është ditë shumë e veçantë për kulturën tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button