Rekomandime nga Instituti për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, u alarmua edhe për pasoja shëndetësore

Instituti i Shëndetit Publik sot ka publikuar disa rekomandime për popullatën e Maqedonisë së Veriut për shkak ndotjes së lartë të ajrit, transmeton Portalb.mk.

“Sipas Indeksit Evropian për cilësinë e ajrit (Agjencia Evropiane për Mjedisin Jetësor – ЕЕА), Indeksi aktual për cilësinë e ajrit kategorizohet si “Ekstremisht i keq (i varfër)” në stacionet matëse në Shkup për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM10 dhe në Berovë për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM2.5”, raportoi Instituti.

Raportohet që në në Veles, Strumicë, Prilep, Gostivar, cilësia e ajrit kategorizohet si “shumë e keqe” për shkak të tejkalimit të përqindjeve të grimcave PM10, ndërsa në Manastir për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM2.5, ndërkohë cilësia e ajrit në Kavadar karakterizohet si “e keqe” për shkak të tejkalimit të përqendrimeve të grimcave PM10 edhe në Koçan, përqendrimeve të larta të grimcave PM2.5.

“Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze”, paralajmëroi Instituti, duke theksuar që grupet më të rrezikuara janë fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe sëmundje tjera, ndërsa ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar.

Instituti për qytetet me cilësi “ekstremist të keqe” rekomandon:

  • Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë.
  • Qëndroni në shtëpi ose zvogëloni sforcimin fizik, sidomos jashtë dhe sidomos nëse keni simptoma të tilla si kollë ose dhimbje të fytit.
  • Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik.
  • Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi.
  • Njerëzit me astmë mund të kenë nevojë të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre. Nëse duhet të dilni jashtë, vëndoni maska ​​me efikasitet të provuar.
  • Personat me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin.
  • Shmangni qëndrimin dhe aktivitetet në natyrë (sporte, rekreacion).
  • Gjatë qëndrimit jashtë mbani maska mbrojtëse me efikasitet të dëshmuar.
  • Mos i hapni dritaret në shtëpinë tuaj.
  • Përdorni një pastrues ajri  pa jonizator(për personat veçanërisht të ndjeshëm me astmë, sëmundje kronike – sëmundje të frymëmarrjes ose të qarkullimit të gjakut dhe fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna).

Sot në mëngjes Shkupi është në vendin e 20-të në listën e qyteteve më të ndotura në botë dhe grimcat PM2.5 janë sërish më të pranishmet në ajër.

Për shkak të mjegullës që ka mbytur kryeqytetin prej disa ditësh, dje janë anuluar 13 fluturime të avionëve që duhej të uleshin në aeroportin e Shkupit. Gjithashtu mëngjesin e sotëm është anuluar fluturimi nga Suedia për në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button