ASh: Qeveria t’i pranojë propozimet tona për krizën energjetike

Qeveria së bashku me KRrE-në krijuan kaos me aprovimin e sistemit të ri tarifor për energjinë elektrike dhe rritjen marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë e sidomos për konsumatorët e biznesit të vogël, rritje e cila solli efekte të padëshiruara e negative në tregun ekonomik në vend, kështu shprehet departamenti i ekonomisë nga Aleanca për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë muajit qershor 2022, KRrE aprovoi një rritje prej mbi 60% të çmimit të treguesit të furnizimit të energjisë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël, me çka çmimi final i furnizimit dhe distribuimit me energji elektrike ishte në nivelet prej 279 € per MWh. Ky çmim i lartë për këtë kategori konsumuese, ishte një goditje e rëndë dhe vrastare për biznesin e vogël, me çka shumë biznese u mbyllën në pamundësi për të ekzistuar, duke lënë pa punë mijëra familjarë”, thanë nga ASh.

Nga atje shtuan se pas këtij kaosi, Qeveria ishte e detyruar të reflektojë dhe më 29.12.2022 aprovoi ulje të çmimit të energjisë elektrike për këtë kategori konsumuese, ulje e cila i faturohet si sukses  kundërshtimeve të zëshme e të arsyeshme të faktorëve të lartpërmendur.

“Por, edhe pse çmimi për këtë kategori pëson ulje, përsëri ai është shumë i lartë për një pjesë të theksuar të artizanateve dhe shërbimeve që ofron kjo kategori konsumuese. Aleanca për Shqiptarët e këshilloi dhe i ofroi qeverisë aktuale një opsion që edhe për këtë kategori konsumuese të aprovojë fasha (bllok) tarifa, ku në fashën e parë e të dytë çmimet të jenë më të ulëta e të arsyeshme, ndërsa fasha e tretë e ajo e katërt të kenë çmimet aktuale, por fatkeqësisht e njëjta nuk u pranua”, theksuan nga ASh.

Nga atje shtuan se gjatë vitit të kaluar, përmes prokurimit publik u importua energji elektrike për të cilën nga buxhetit i shtetit u ndanë mbi 400 milion euro, ku sipas tyre me këto mjete mund të ndërtohej një hidrocentral deri në fazën e parafizibilitetit me digë të lartë (deri në kuotën mbi 440 metra mbi nivelin e detit), ku kapaciteti prodhues vjetor i këtij hidrocentrali do të ishte prej 1.000 GWh/vit, me çka do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e importit dhe në sigurinë energjetike të vendit.

Kujtojmë që me 28 dhjetor Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) vendosi që nga 1 janari për 20,15 % të ulet çmimi i energjisë elektrike për më shumë se 70 mijë kompani të vogla në tregun e rregulluar, ndërsa çmimi për amvisëritë në bllokun e parë ulet për 4,11 %.

Së fundmi, drejtori gjeneral i SHA EMV, Vasko Kovaçevski ka bërë të ditur se plani për këtë vit është rritja e prodhimit të energjisë elektrike për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button