BE-ja do të diskutojë reagimin e përbashkët për Covidin ndaj udhëtarëve nga Kina

Vendet e BE-së do të takohen të mërkurën (4 janar) për të diskutuar reagimin e përbashkët ndaj udhëtarëve nga Kina mes shqetësimeve për shpërthimin e rasteve të Covid, kështu ka bërë të ditur Suedia, shteti kryesues i Presidencës të Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk nga Euractiv.

“Suedia kërkon një politikë të përbashkët për të gjithë BE-në kur bëhet fjalë për futjen e kufizimeve të mundshme të hyrjes”, tha Qeveria Suedeze.

Stokholmi, i cili mori presidencën e radhës të BE-së dje (1 janar), tha se kishte thirrur një takim të mekanizmit të menaxhimit të krizave të Këshillit IPCR për të mërkurën.

“Është e rëndësishme që ne të marrim shpejt masat e nevojshme.”

Pekini i ka dhënë fund papritmas politikës “zero Covid”, duke rezultuar në një shpërthim infeksionesh në vend, gjë që ka bërë që disa shtete anëtare të BE-së të imponojnë teste Covidi për udhëtarët nga Kina.

Franca, Italia dhe Spanja javën e kaluar vendosën masat e testimit për Covid për udhëtarët nga Kina. Gjermania, ndërsa thotë se nuk e sheh nevojën për të vendosur teste, kërkon një sistem të koordinuar për të monitoruar variantet nëpër aeroportet evropiane.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), një nga agjencitë shëndetësore të BE-së, tha javën e kaluar se ekzaminimi sistematik i udhëtarëve ishte aktualisht “i pajustifikuar”.

Qendra përmendi nivelin e imunitetit në Evropë dhe praninë në kontinent të të njëjtave variante si në Kinë.

Dega evropiane e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve tha të shtunën se vendosja e kufizimeve për udhëtarët nga Kina nuk ishte “as i justifikuar shkencërisht dhe as i bazuar në rrezik”.

Federata, e cila përfaqëson më shumë se 500 aeroporte në 55 vende evropiane, tha se identifikimi i varianteve të reja të mundshme që mund të shfaqen në Kinë mund të zbulohet me sekuencën gjenomike të analizës së ujërave të zeza të aeroportit, pa pasur nevojë të testohen udhëtarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button