RMV, ndryshim i sistemit për përmirësim të prokurorive

Në Maqedoninë e veriut prej dje filloi ndryshimi i sistemit të menaxhimit i lëndëve në prokuroritë Publike. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

Kjo Ministri njoftoi se  në koordinim me Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar ndryshimin e plotë dhe të pandërprerë të sistemit të menaxhimit të lëndëve në prokuroritë publike duke filluar nga 1 janar 2023.

Sistemi, siç sqaruan nga Ministria është mjet bazë në kryerjen e detyrave themelore të prokurorive publike, i cili do të sigurojë ruajtjen e informacionit, monitorimin dhe arkivimin e lëndëve, si dhe pasqyrimin e gjendjes së lëndëve në çdo moment.

“Sistemi është një mjet bazë në kryerjen e detyrave themelore të prokurorive publike, i cili do të sigurojë ruajtjen e informacionit, monitorimin dhe arkivimin e lëndëve, si dhe pasqyrimin e gjendjes së lëndëve në çdo moment. Përmes këtij sistemi pritet të sigurohet rrjedhë e pandërprerë e të dhënave, synimi kryesor i të cilit sipas Ministrisë është përmirësimi dhe automatizimi i proceseve në prokuroritë publike, përmirësimi i rrjedhës së informacioneve përmes digjitalizimit, arkivimit dhe ruajtjes së dokumentacionit, duke garantuar shkallë të lartë sigurie, kontroll gjatë qasjes si dhe komunikim i automatizuar”, sqaruan nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Ministria theksuan se për zbatimin e duhur të këtij sistemi janë organizuar edhe trajnime për prokurorët publikë dhe punonjësit tjerë.

Rikujtojmë që këtë vit bujë më të madhe ka shkaktuar zgjedhja e prokurorit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit nga Kërçova, i cili u akuzua në opinion për afërsi të tij me funksionarët e BDI-së, për çka u publikuan edhe disa fotografi. Për zgjedhjen e tij edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shkup deklaroi se është e habitur me procesin, ndërkaq Abazi mohoi çdo lidhje të tij me BDI-në. Ndër të tjera, Uashingtoni dërgoi një ekip në Maqedoninë e Veriut për vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, funksionarëve aktualë dhe të kaluar. Zgjedhja e tij erdhi pas ngjarjeve mes prokurores Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Ruskovska u suspendua për shkak të bastisjes në Policinë Financiare, ndërkaq Muaremi dha  dorëheqje një ditë pas skadimit të mandatit 6-mujor të ushtruesit të detyrës së drejtorit.

Lufta kundër korrupsionit në periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave të forta nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button