Ngjarjet të cilat e shënuan arsimin në vitin 2022: greva e mësimdhënësve, lajmërimet për bomba, orët e shumta të humbura të mësimit

Lajmërimet për bomba, pushimi i zgjatur dimëror, greva e mësimdhënësve, shkurtimi i materialeve për provimet e maturës, trajnimet për mësimdhënësit për mbajtjen e mësimit sipas modelit të ri, 1 shtatori pa tekste shkollore, humbja e orëve mësimore në shumë raste… Këto janë vetëm disa nga ngjarjet që e shënuan vitin 2022 sa i përket arsimit në vendin tonë. E përderisa pritshmëritë ishin se këtë vit departamenti më i rëndësishëm, shtylla e shtetit, të paktën do të arrinte të rikuperohej sadopak pas dy vitesh mësim në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, mësimdhënësit, nxënësit, madje edhe prindërit, edhe këtë herë u përballën me një sërë sfidash.

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme humbën shumë me mbylljen e shkollave për plot 54 javë për shkak të pandemisë. Mirëpo, në janar të këtij viti pasoi edhe një “qëndrim në shtëpi” për shkak të numrit të lartë të rasteve me KOVID dhe në vend të dy javëve të zakonshme, pushimet dimërore zgjatën një muaj. Rrjedhimisht u shkurtua një pjesë e kurrikulës mësimore. Frika se me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor mund të rritet edhe numri i rasteve u tregua e arsyeshme. Virusi filloi të përhapet mes nxënësve, gjë që ishte shkas për autoritetet shëndetësore që të bëjnë një skrining nëpër shkolla.

Arsimi në vend ishte në krizë edhe para pandemisë së KOVID-19. Testimet ndërkombëtare treguan se më shumë se gjysma e të gjithë nxënësve në moshë pesëmbëdhjetë vjeçare në vend nuk kanë arritur as nivelin bazë të njohurive në lexim, matematikë dhe shkenca natyrore. Mungesat e gjata në mësim që pasuan vetëm se e thelluan atë krizë. Kështu, në muajin prill pati ndërprerje tjetër të procesit mësimor i cili zgjati dy javë, kësaj radhe për shkak të grevës së punonjësve arsimorë të cilët kërkonin rritje të pagave. Orët e humbura nuk u zëvendësuan. Humbja e këtyre orëve ishte shkas që autoritetet arsimore të vendosin ta shkurtojnë materialin mësimor për maturantët.

Ajo që ishte e re këtë vit, ishte fakti që për herë të parë dokumentet për regjistrim në shkollat e mesme, së pari dorëzoheshin në formë elektronike, e pastaj dërgoheshin për shqyrtim në shkollë. Në formë elektronike, për regjistrim në shkollat e mesme u paraqitën 14.500 nxënës të klasës së nëntë.

Kur jemi te risitë, këtë vit, në pajtim me konceptin e ri të gjithë nxënësit morën shtojcë të dëftesës. Dokumenti u referohet vetëm aktiviteteve jashtë shkollore të nxënësve, gjegjësisht do të përmbajë përshkrime të arritjeve të nxënësit për një aktivitet jashtëshkollor konkret. Ai nuk ndikon në suksesin e nxënësit. Mirëpo, këtë vit shkollor, në vend që në 1 qershor, nxënësit dëftesat e tyre i morën në 1 shtator, sepse nuk ishte përzgjedhur kompania e cila duhet të shtypte materialet. Dëftesa në kohë kishte vetëm për nxënësit e viteve të fundit, e që duhej të regjistroheshin në shkolla të mesme ose në universitete.

Dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, autoritetet arsimore njoftuan se librat e ri do vonojnë për katër klasë, sepse nuk ishte përzgjedhur kompania e cila duhej të bënte shtypjen e tyre. Në tremujorin e parë, nxënësit e klasës të parë, të dytë, të katërt dhe të pestë mësonin nga doracakë, ndërsa pak kohë më parë autoritetet arsimore filluan t’i shpërndajnë librat e ri në mbarë vendin.

Ajo që sërish shkaktoi mungesa në shkollë janë lajmërimet e rreme për bomba, të cilat duke filluar nga 26 tetori, tashmë për më shumë se dhjetëra herë, arrinin në adresat elektronike të shkollave të mesme, e më pas edhe të atyre fillore. Nxënësit u evakuuan, ndërsa ekipet e MPB-së bënin kontrolle të objekteve. Autoritetet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës urdhëruan shkollat që të plotësojnë orët e humbura, kështu që profesorët gjenin mënyra që para ose pas mësimit t’i marrin në pyetje nxënësit e kështu të mund të formojnë edhe notat e tyre.

Në përgjithësi, duket se në të shumtën e rasteve zhvillimet në arsim këtë vit nuk kanë qenë në anën e nxënësve, më saktësisht të gjimnazistëve. Profesorët e tyre tashmë e kanë të qartë që ata nuk do mund ta përvetësojnë sa duhet materialin, pikërisht për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të procesit mësimor. Mbetet të shihet se si do jetë gjendja me sistemin arsimor në këtë vit të ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button