Për të pestin vit me radhë po flitet për largimin e kazinove dhe bastoreve nga shkollat, por ende nuk është ndërmarrë asnjë gjë

Tashmë pesë vite me radhë në vendin tonë po flitet për kufizimin e hapjes së kazinove dhe bastoreve pranë shkollave, por në këtë drejtim deri më tani nuk është bërë asgjë. Krahas kësaj mase të propozuar nga Ministria e Financave në fillim të vitit 2018, nga partia Aleanca për Shqiptarët në pranverë propozuan një projekt-ligj të tyrin në të cilin propozohet që lojërat e fatit të zhvendosen ekskluzivisht nëpër hotelet me pesë yje në vend. Mirëpo, që të dy ligjet e propozuar tashmë disa muaj kanë ngecur në Kuvendin e RMV-së, ndërkohë që numri i kazinove dhe bastoreve në vend po vazhdon të rritet, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Financave në ndryshimet fillestare të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse të cilat i prezantoi në janar të vitit 2018, propozoi që kazinotë dhe bastoret të jenë të paktën 300 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.

“Organizimi i lojërave të fatit në mjedise afariste që janë të licencuara pranë shkollave ndikon në nxitjen e popullatës së re për t’u përfshirë në zakone të këqija dhe të papërshtatshme për moshën e tyre”, thuhet në arsyetimin e ligjit të propozuar nga Ministria e Financave në vitin 2018.

Mirëpo, ky ligj i propozuar nuk kaloi dhe në qershor të vitit 2021 Ministria e Financave dërgoi pranë Kuvendit të RMV-së një projekt – ligj të ri për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për organizimin e lojërave të fatit. Me të kërkohet që organizatorët e lojërave të fatit të jenë të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe atyre të mesme.

Ligji i propozuar u vu në rendin e ditës të seancës së 34-të të Komisionit për Financim dhe Buxhet të caktuar për më 9 shkurt të vitit 2022, por atëkohë nuk u votua as rendi i ditës i komisionit. Nga ajo ditë e deri më sot, ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse nuk mund të kalojnë as në leximin e parë në komisionin parlamentar, e jo më të gjenden para deputetëve në seancë plenare në Kuvend.

Ndërkohë, në prill të këtij viti partia opozitare Aleanca për Shqiptarët njoftoi se grupi i tyre parlamentar do të dorëzojë një projekt-ligj të tyrin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, me të cilin ata propozuan që kazinotë, bastoret dhe lojërat e tjera të fatit të zhvendosen ekskluzivisht nëpër hotelet me pesë yje në të gjithë vendin tonë. Kjo praktikisht do të thotë që kazinotë dhe bastoret ekzistuese nëpër qytetet dhe fshatrat në vend do duhet të mbyllen.

Qeveria e kundërshtoi këtë propozim, njësoj si edhe organizatorët e lojërave të fatit, me arsyetimin se shteti do të humbiste të ardhura të mëdha në buxhetin e shtetit, ndërkohë që mijëra njerëz do të humbnin vendet e punës. Mirëpo, nga Ministria e Financave edhe këtë vjeshtë u bënë thirrje deputetëve për miratimin e propozimit të tyre për ndryshime dhe plotësime, në të cilin largimi i kazinove dhe bastoreve nga shkollat nuk është propozimi i vetëm.

Me zgjidhjen e re ligjore parashihet shtrëngimi i kritereve dhe kushteve për marrjen e licencës dhe rritjen e ndjeshme të tarifave për organizatorët e lojërave të fatit dhe lojërave zbavitëse. Gjithashtu, për të parandaluar aksesin e lehtë të të miturve, Ministria e Financave me këtë ligj propozon edhe vendosjen e një kufizimi të numrit të pikave të arkëtimit të bastoreve, si dhe kufizimin e numrit të lokaleve afariste të klubeve me automate që hapen me një licencë të lëshuar, por edhe vendosjen e tarifës për çdo pikë të re arkëtimi, gjegjësisht një mjedisi afarist për klub me automate. Por, edhe kjo thirrje e Ministrisë së Financave nga data 29 shtator i këtij viti hasi në vesh të shurdhër tek deputetët.

Ndryshimet janë të papranueshme për bastoret sportive

Meta.mk në dy raste, më 13 dhe 19 dhjetor të këtij viti, dërgoi kërkesë pranë Ministrisë së Financave dhe partisë Aleanca për Shqiptarët për përgjigje në disa pyetje lidhur me këtë temë, ndër të cilat edhe atë se cilat janë pengesat që pamundësojnë miratimin me sukses të ndryshimeve në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, por përgjigje nuk morëm.

Të vetmit të gatshëm për të biseduar ishin nga Asociacioni i bastoreve sportive të Maqedonisë (ABSM), të cilët informojnë se sipas të dhënave të tyre për momentin në Maqedoni ka rreth 700 subjekte afariste bastore. Në këtë asociacion bëjnë pjesë pesë bastoret më të mëdha në vend: Mocart, Zllatna Kopaçka, Sport Life, Eurotip dhe Marbet.

Nga ABSM thotë se ndryshimet ligjore të propozuara janë të papranueshme për bastoret sportive. Ata vlerësojnë se nëse miratohet propozimi i Ministrisë së Financave për zhvendosjen e pikave të basteve 500 metra larg shkollave, do të duhej të mbyllnin pothuajse 98 përqind të objekteve në të gjithë vendin.

“Qëndrimi i ABSM është se një ligj i tillë është jashtëzakonisht diskutabil, sepse edhe pse supozohet që ka për qëllim të avancojë industrinë, të mbrojë lojtarët dhe të rrisë të ardhurat në buxhet, nëse këto objekte mbyllen, nuk do të ketë të ardhura nga tatimet dhe shteti do pësojë humbje. Sipas vlerësimeve tona në buxhet derdhen rreth 253 milionë euro në vit. Kjo për ne është e pakuptueshme, sidomos në kushtet e një krize të këtillë ekonomike në të cilën gjendemi”, thanë nga ky Asociacion për Meta.mk.

Nga Asociacioni i bastoreve sportive kanë përllogaritur se në këtë veprimtari janë të punësuar direkt mbi 8 mijë persona, por shtojnë edhe se hyrja e të miturve në bastore është plotësisht e rregulluar me ligj dhe gjobat për mosrespektimin e këtyre neneve janë të larta. Nga ABSM shtojnë se nuk kanë interes të lejojnë hyrjen e personave nën moshën 18 vjeç në objektet e tyre.

Nëse i mbyllim sportive të ligjshme ose nëse lojërat e fatit zhvendosen në hotele me pesë yje, atëherë lojtarët do të kërkojnë një alternativë, bastoret do të zhvendosen në vende të paligjshme, ku shteti nuk do të ketë kontroll as mbi fondet, e as mbi sigurinë e lojtarëve dhe të të miturve.

Shqipëria “u bë pishman” për ndalimin e lojërave të fatit

Katër vite pas ndalimit të kazinove dhe bastoreve, Shqipëria fqinje nga 1 janari i vitit 2023 rihap bastoret sportive në vend. Përderisa në fillim të vitit 2018 në Maqedoni flitej për ndalimin e basteve sportive, më 31 dhjetor të vitit 2018 Shqipëria arriti të ndalonte bastet sportive në të gjithë vendin.

Tani, shkruan Juroaktiv, nga fillimi i vitit 2023 bastoret sportive rikthehen në Shqipëri, ndërsa qeveria shqiptare nga bastet sportive pret të mbledhë çdo vit fonde tatimore në vlerë prej 17 milionë eurosh. Përveç numrit të vogël të kazinove të licencuara, në Shqipëri në katër vitet e fundit u mbyllën qindra kazino dhe bastore në të gjithë qytetet dhe fshatrat. Megjithatë, Juroaktiv shkruan se kjo nuk i ndaloi kazinotë dhe bastoret ilegale në të gjithë vendin, për punën e të cilave pati arrestime thuajse javore nga policia shqiptare.

Kryeministri Edi Rama në Shqipëri premtoi se të ardhurat e shtetit nga funksionimi i bastoreve sportive do t’i drejtojë drejt sportit, kulturës dhe rinisë.

Në Maqedoni, mbetet që deputetët të vendosin nëse dhe çfarë masash kufizuese do të vendosin për organizatorët e lojërave të fatit, duke marrë parasysh faktin se janë propozuar dy tekste të ndryshme për ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual. Ndryshimet e propozuara nga Aleanca për Shqiptarët me gjasë do të jenë të parat që do të shqyrtohen, teksti i të cilave tashmë është vendosur në rendin e ditës të seancës së 73-të të Kuvendit të RMV-së në lexim të parë.

E përderisa status quo-ja në vend po vazhdon, numri i kazinove dhe pikave të bastoreve në gjithë Maqedoninë po rritet. Gjithashtu, në vendin tone disa herë gjatë viteve të kaluara nëpër qytete janë mbajtur protesta kundër hapjes së kazinove dhe bastoreve, ndërsa banorët e Tetovës për herë të fundit protestuan në shkurt të këtij viti kundër hapjes së një kazinoje pranë një kopshti të fëmijëve në këtë qytet.

Edhe pse në vazhdimësi po e shtyjnë marrjen e vendimit, mbetet që deputetët të vendosin nëse dhe në çfarë mase do të vendosin masa kufizuese në lidhje me numrin dhe lokacionet në të cilat kazinotë dhe bastoret në Maqedoni do funksionojnë pa probleme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button