Kremlini paraqiti kushtet për paqe me Ukrainën

Kremlini paraqiti përfytyrimet e tij për të arritur një paqe të mundshme me Ukrainën. Sipas këndvështrimit të Kremlinit një plan i mundshëm paqeje për Ukrainën duhet të njohë aneksimin nga Rusia të katër rajoneve në lindje dhe në jug të vendit. “Nuk mund të ketë asnjë plan paqeje për Ukrainën, i cili nuk merr parasysh realitetet e sotme në territorin rus,” citoi agjencia ruse e lajmeve Interfax zëdhënësin e Kremlinit, Dmitri Peskov. Peskov reagoi ndaj planit prej dhjetë hapash të presidentit ukrainas Selenski, kërkesat thelbësore të të cilit janë tërheqja e trupave ruse dhe pagimi i reparacioneve për dëmet e luftës agresore ruse ndaj Ukrainës, shkruan DW.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksij Danilov, i hodhi poshtë menjëherë kërkesat e zëdhënësit të Kremlinit. Nuk ka asnjë realitet në të cilin ‘territore të reja janë pjesë e Federatës Ruse’, shkroi Danilov në Twitter. “Realitetet e Federatës Ruse janë: turpi, disfata dhe kolapsi i saj”.

Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksi Makeiev, ripërsëriti ndërkohë kërkesat e vendit të tij për mbështetje të mëtejshme në luftën kundër Rusisë. “Paqja nuk bie nga qielli. Për të duhet luftuar. Dhe ne ukrainasit e bëjmë këtë në emër të të gjithë evropianëve,” tha Makeiev për gazetat e grupit mediatik gjerman Funke. Ukrainasit duan “më shumë guxim dhe vendosmëri nga aleatët dhe partnerët tanë”.

Si synime për vitin 2023 Makeiev përmendi “çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit rusë, rivendosjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, kthimin e bashkatdhetarëve në shtëpi, rindërtimin e vendit dhe përparimin e mëtejshëm në integrimin në BE dhe NATO”.

Ambasadori përsëriti gjithashtu thirrjen për furnizime të mëtejshme me armë. Nisur prej sulmeve me raketa ruse ndaj infrastrukturës civile dhe goditjet me artileri të qyteteve të Ukrainës, kjo ndihmë “duhet të intensifikohet dhe forcohet në muajt e ardhshëm, në mënyrë që në Ukrainë të mund të shpëtojnë jetën edhe më shumë civilë”, tha Makeiev. Ukraina ka gjithashtu nevojë për ndihma për të riparuar infrastrukturën e shkatërruar dhe për të rindërtuar vendin, tha ambasadori i Ukrainës në Gjermani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button