GJUHA – SHËNJUESE E IDENTITETIT

Janë të shumtë historianët e huaj që kanë shkruar libra për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Kur shkruajnë mirë për ne, i ngremë në qiell, e kur sjellin të dhëna që nuk përkojnë me gjërat që dimë për vetveten, i shpallim armiq para se të administrojmë fajet e tyre.

Ju kujtohet vepra “Skënderbeu” e historianit dhe albanologut zvicerian Oliver Shmitit, e pritur me zhgënjim të thellë dhe me debate të nxehta, për shkak se autori shkroi se nëna e Gjergj Kastriotit mund të vinte nga një familje serbe. Kaq u desh që në sulmet ndaj autorit të përfshihen edhe ata që nuk e kishin lexuar librin, ata që nuk e kishin haberin se libri i Shmitit është ndër më të rëndësishmit që është shkruar ndonjëherë për Heroin e kombit shqiptar.

Të kuptohemi: vepra autorësh qëllimkëqinj ndaj të shkuarës dhe personaliteteve emblematike shqiptare, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, janë shkruar qysh para 400 vitesh, por betejën me to e kanë fituar përherë dijetarët tanë. Është e njohur përpjekja mjerane e priftit Tomko Mrnaviq për ta sllavizuar Skënderbeun, të cilin e demaskoi Frank Bardhi ynë (1606-1643) me argumentet e pathyeshme të “Apologjisë” së tij, e cila edhe pas aq shekujsh vazhdon të lakuriqëzojë bufët e tjetrit dhe tuxharët shqipfolës që shesin pa dhimtë vlerat e etnisë.

Bardhi na mëson se kundërshtimi i të dhënave të shpifura të një vepre historike u takon profesionistëve të fushës, jo gjithkujt. U takon atyre që fillimisht verifikojnë burimet nga janë marrë të dhënat e një shkrimi, atyre që kontrollojnë saktësinë e citateve të shfrytëzuara si argumente në ndonjë vepër. Më pastaj, pasi ta kenë bërë këtë, sjellin në kujtesën e publikut të dhënat ekzistuese që ndryshojnë nga ato të veprës, të vërtetat e së cilës konsiderohen të pasakta, ose bëjnë gjurmime të reja për të shtruar me përgjegjësi kundërargumentet.

Por, ta lëmë këtë temë për t’u ndalur shkurt në veprën “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë” e autorëve Bernd J. Fisher-it dhe  Oliver Jens Shmit-it, të botuar në shtatorin e këtij viti nga shtëpia botuese e Prishtinës ARTINI, në përkthim të Col Mehmetit. Vepra në fjalë hapet me kapitullin “Midis vullnetit rajonal dhe sundimit perandorak”, në të cilin trajtohet roli i Gjuhës shqipe në ravijëzimin e të shkuarës dhe të tashmes sonë.

Po sjell në vijim në formë parafrazash disa të dhëna që shpjegojnë rëndësinë e Shqipes si shënjuese e identitetit tonë:

  • Historia shqiptare përpara 1912-s mud të shkruhet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe dhe folësve të saj. Jo rastësisht vetë shqiptarët e kanë spikatur prej kohësh gjuhën e tyre si tipar qenësor të identitetit dhe si objekt krenarie.
  • Ata e konsiderojnë Shqipen si gjuha më e vjetër në botë, ashtu siç i konsiderojnë gjuhët e tyre edhe etnitë tjera të Evropës Lindore, gjë që vin për shkak të traditës së munguar me shekuj të institucioneve shtetërore.
  • Për shkak të kasaj fryme, nacionalistët e sotëm grekë e serbë ua mohojnë shqiptarëve të drejtën apo kapacitetin për të ndërtuar shtet, duke i përligjur planet e tyre të përsëritura për copëtimin e tokavë të banuara me shqiptarë.
  • Shqipja është gjuhë indoevropiane, e veçantë brenda këtij grupimi të madh gjuhësh. Me dy dialektet e saj, ajo flitet në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi, në Serbi dhe në diasporën e madhe shqiptare, të shpërndarë gjithandej botës.
  • Gjuha e sotme standarde shqipe u kodofikua më 1972. Ajo unifikoi shqiptarët në kohëra kur u kanosej asimilimi, po sot gjuha standarde po vihet në pikëpyetje nga vetë ata (shqiptarët).
  • Përmendja e parë e Gjuhës shqipe daton nga viti 1282 në një dokument nga Dubrovniku, që zë në gojë një burrë që vërriste shqip në male. Më pas vijnë dokumentet dhe librat e parë shqip…
  • Me alfabetin e Manastirit (1908) shqiptarët u bënë kombi i parë me shumicë muslimane, që e braktisi shkrimin arab në favor të alfabetit latin. Ata e bënë këtë përkundër rezistencës së sertë të autoriteteve osmane dhe forcave konservatore muslimane.
  • Termi “shqiptar” përcakton parësisht një folës të Gjuhës shqipe. Por në mesjetë dhe në burimet e hershme, arbër ose arnaut kishte kuptime të tjera. Një arbër mund të ishte një person nga trevat e quajtura Arbëri, një truall i cili ishte i përzier etrnikisht e gjuhësisht. Përndryshe, identitetet e lidhura me përkatësi gjuhësore janë ekskluzivisht dukuri e modernitetit.
  • Shqiptarët janë ndër ata që kurnjëherë nuk hoqën dorë prej gjuhës së tyre, duke e ruajtur atë për më shumë se dymijëvjeçarë në kontekste të ndryshme perandorake e sakrale (latinishtja, greqishtja, sllavishtja kishtare, osmanishtja, arabishtja). Kjo përben një nga veçantitë më të qenësishme të historisë shqiptare në përgjithësi.
  • Habit fakti se ndikimi i vogël i Greqishtes së vjetër në Gjuhën shqipe, është në kontrast me latinishten. Kjo është edhe më befasuese në dritën e faktit se prej shekullit të shtatë para Krishtit, pjesët e sotme jogore e qendrore të anëdetit shqiptar ishin kolonizuar nga grekët.
  • Dijetari i parë i madh që studio Shqipen ishte filozofi gjerman Lajbnici. Në XVIII, dijetari suedez Tunmani, shkroi për vazhdimësinë iliro-shqiptare. Sipas një hipoteze tjetër, Gjuha shqipe rrjedh nga një gjuhë e tretë e vjetër ballkanase.
  • Kërkimet gjuhësore e kanë bërë të gjasueshme se ardhësit e hershëm sllavë (sh. VI-VII) i huajtën prej folësve të Arbërishtes së lashtë emrat e plot qyteteve kryesore në Ballkan, si: Shkupi, Shtipi, Nishi etj.
  • Fjalori i shqipes është i pasur me fjalë që emërzojnë kafshë dhe bimë në visoret kodrinore dhe malore dhe jo vetë. Gjuhëtarët kanë arritur në përfundim se trualli i fillmë gjuhësor i Arbërishtes në antikitetin e vonë shtrihej nga Shqipëria e sotme deri në Serbinë e sotme jugore dhe përthekonte Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut të ditëve tona. Në këtë truall shkëmbimi gjuhësor me gjuhët tjera ishte i ngjeshur. Lidhjet mes Arebërishtes dhe Arumanishtes ishin veçanërisht të ngushta. Por me arritjen e sllavëve në Ballkan (sh.VI-VII i erës sonë), këto dy bashkësi u sprapsën ndër malësi dhe përbrendësuan një kulturë dhe ekonomi kryesisht baritore.
  • Që prej lashtësisë, Arbërishtja është folur në truallin bërthamë të Ballkanit Jugperëndimor. Në mesjetë, shtegtimet e arbërbve në Greqi dhe në Italinë e jugut e madhuan këtë truall gjuhësor, siç ndodhi edhe me arbërit tjerë që u ngulitën brenda Perandorisë Osmane, në Bullgari, në Vllahi dhe në Egjipt. E në sh. XX migruan dhe krijuan bashkësi të reja të rëndësishme shqiptarësh në SHBA, Gjermani, Austri, Zvicër… Me një fjalë, shqiptarët e bashkëndanë historinë transterritoriale të Ballkanit e Mesdheut lindor, me ato grupe gjuhësore dhe fetare që u vendosën në tokat shqiptare bërthamë, apo afër tyre, përfshirë romakët, grekët sllavët, tuqit, romët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button