ETIAS: Tarifa prej shtatë eurosh dhe formulari online i hyrjes në BE nuk kanë ndikim në liberalizimin e vizave

“ETIAS nuk është vizë. Plotësimi i kërkesave të ETIAS do të thotë që nuk keni nevojë për vizë për të hyrë në shtetet anëtare”, thuhet në ueb-faqen e  Sistemit Evropian të Autorizimit të Udhëtimit, i cili do të prezantohet vitin e ardhshëm, me të cilin udhëtarët që nuk janë shtetas të ndonjë shteti anëtar të BE-së do të duhet të plotësojnë një formular online dhe të paguajnë shtatë euro përpara se të hyjnë në zonën evropiane. Përfitimi kryesor i deklaruar i prezantimit të ETIAS është të sigurojë data-bazë të të dhënave për udhëtarët, me qëllim për të përforcuar sigurinë në zonën e Shengenit dhe ideja e zbatimit të tij daton që nga viti 2016, shkruan Vërtetmatësi.

Vendosja e sistemit ETIAS, me të cilin udhëtarët që nuk janë shtetas të një prej vendeve anëtare të BE-së do të duhet të plotësojnë një formular në internet dhe të paguajnë shtatë euro përpara se të hyjnë në zonën evropiane, ka hapur edhe pyetjen nëse bëhet fjalë për vështirësimin apo shfuqizimin e liberalizimit të vizave, ndërsa mes euroskeptikëve ka zhvilluar retorikën se jo të gjithë qytetarët janë të dëshirueshëm për të vizituar vendet anëtare të BE-së.

Por a është vërtet kështu dhe çfarë përfaqëson në të vërtetë ETIAS?

ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Autorizimit të Udhëtimit, pra Programi i Sigurisë së Udhëtimit. Ky program kontrollon aplikantët, me qëllim që të identifikojë rreziqet e mundshme të sigurisë gjatë hyrjes në vendet anëtare të BE-së.

Ideja e futjes së autorizimit ETIAS daton në vitin 2016. Sistemi duhet të kontribuojë në reduktimin e rreziqeve të sigurisë, shëndetit dhe migracionit , ndërsa do të zbatohet për vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Përveç kësaj, përfitimi është se ky sistem mund të jetë “përforcues” për BE-në, në një kohë kur të ardhurat e marra nga Komisioni Evropian janë ulur ndjeshëm.

Kjo ide, pas përgatitjeve të gjata, do të nisë të zbatohet nga viti i ardhshëm, 2023. Pra, mbajtësit e pasaportave të 59 nga 62 vendet që aktualisht udhëtojnë pa viza do të duhet të përdorin ETIAS për të udhëtuar në BE për turizëm, biznes ose tranzit për qëndrim prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180-ditore.

ETIAS është bërë sipas sistemit amerikan ESTA, ku udhëtarët jo amerikanë paguajnë 21 dollarë për të hyrë në shtetet amerikane. Në vitin 2016, Kanadaja krijoi gjithashtu një sistem të ngjashëm me ESTA, të quajtur ETA.

Në rastin e ETIAS, pagesa prej shtatë eurosh do të ishte e vlefshme për vizita të shumta në cilindo nga shtetet anëtare të BE-së, gjatë tre viteve. Të paktën 96 orë përpara udhëtimit, pasagjerët do të duhet të plotësojnë një formular në internet. Pasagjerët nën 18 dhe mbi 70 vjeç do të përjashtohen nga pagesa.

Pritet që miratimi në shumicën e rasteve të jepet brenda pak minutash. Sistemi është i lidhur me pasaportën dhe nëse dikush ka pasaportë të re, do t’i duhet gjithashtu të marrë një leje të re udhëtimi ETIAS. Megjithatë, rregullat parashikojnë që gjatë hyrjes në vend duhet të paraqitet pasaporta, si më parë, dhe shërbimet kufitare mund të kërkojnë dokumente të tjera për të kontrolluar nëse personi i plotëson kushtet për hyrje në vend.

“ETIAS nuk është vizë. Plotësimi i kërkesave të ETIAS do të thotë që ju nuk keni nevojë për vizë për të hyrë në shtetet anëtare. Nëse nuk keni autorizim udhëtimi të miratuar ETIAS ose nuk i plotësoni kërkesat e regjistrimit në ETIAS, mund të aplikoni përsëri për vizë Shengen për vizitë. Duke përdorur të dhënat kriminale dhe bazat e të dhënave të sigurisë nga institucionet evropiane të drejtësisë penale Europol dhe Interpol, ETIAS krijon rrjet sigurie që garanton sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve evropianë”, shkruan në ueb-faqen zyrtare të ETIAS

Pse ETIAS?

ETIAS është planifikuar zyrtarisht të funksionojë në maj 2023, por do të ketë periudhë mospagimi prej 180 ditësh.

Periudha gjashtëmujore e mospagimit, sipas një shpjegimi në faqen zyrtare të ETIAS, duhet t’u japë autoriteteve evropiane kohë të mjaftueshme për t’u trajnuar mbi protokollet e reja dhe për t’u dhënë atyre një periudhë verifikimi në të cilën mund të identifikohen problemet e mundshme teknike me sistemin.

Periudha gjashtëmujore e mospagimit skadon në nëntor 2023, kështu që përdorimi zyrtar i sistemit pritet të fillojë atëherë.

“Përfitimi kryesor i deklaruar nga vendosja e ETIAS është të sigurojë data-bazë të të dhënave për udhëtarët, në përpjekje për të forcuar sigurinë në zonën e Shengenit. Një përfitim tjetër është se mund të sjellë ‘përforcues’ shumë të nevojshëm në BE, në një kohë kur të ardhurat e marra nga Komisioni Evropian kanë rënë ndjeshëm. Çdo aplikant ETIAS do të duhet të paguajë tarifë minimale shtetërore prej 7 euro. Me këtë, të ardhurat e parashikuara në vitin e parë të nisjes, në 2023, mund të arrijnë deri në 200 milionë euro”, shkruan në ueb-faqen e ETIAS.

Çfarë do të përmbajë formulari për udhëtim?

Formulari online për aplikim do të kërkojë nga udhëtarët të dhënat personale për të konfirmuar identitetin e tyre.

Kjo do të përfshijë:

  • Informacione të vlefshme për dokumentet udhëtuese/pasaportë
  • Emri dhe mbiemri
  • Adresa
  • Shtetësia
  • Gjinia
  • Statusi i shtetësisë së dyfishtë
  • E-mail adresa
  • Numri i telefonit
  • Data e lindjes
  • Vendi anëtar i destinacionit të fundit
  • Arsimimi
  • Profesioni

Formulari i aplikimit ETIAS mund të kërkojë gjithashtu informacion në lidhje me dosjet kriminale, udhëtimet në zonat e luftës, udhëtimet e mëparshme në vendet evropiane, përdorimin e drogës, etj.

Në cilat shtete do të kërkohet ETIAS?

Me vendosjen e sistemit, qytetarët e vendeve të rajonit, si dhe të Maqedonisë së Veriut, do të duhet të kenë ETIAS për hyrje në 30 vendet e mëposhtme: Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Qipro, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe Zvicër. Qytetarët do të kenë nevojë gjithashtu për ETIAS për të vizituar mikro-shtetet evropiane me kufij të hapur të Monakos (nëpërmjet Francës), San Marinos (nëpërmjet Italisë) dhe Vatikanit (nëpërmjet Italisë).

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministrat e çështjeve evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i kërkojnë Bashkimit Evropian (BE) shtyrjen e vendimit për aplikimin e Sistemit Evropian të Autorizimit të Udhëtimit.

“Ne besojmë se nuk duhet të vendoset dhe mund t’ju njoftoj se tashmë jemi në komunikim me ministrat e çështjeve evropiane nga i gjithë rajoni për të hartuar një letër të përbashkët që do t’ia dërgojmë Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së duke kërkuar shtyrje të këtij vendimi ose përjashtimi nga ai vendim i vendeve që negociojnë me BE-në. Mendoj se qytetarët kanë ndjenjë reale se është e panevojshme, por edhe ne mendojmë se është e panevojshme në këtë fazë. Ballkani Perëndimor ka bërë shumë për Bashkimin Evropian dhe mendoj se ky vendim duhet të paktën të shtyhet. Ne si Qeveri e Maqedonisë së Veriut, së bashku me të gjitha qeveritë në rajon, do të bëjmë gjithçka për ta bindur BE-në që ta shtyjë këtë vendim”, tha Mariçiq.

ETIAS u diskutua edhe në Kongresin Botëror për Sigurinë Kufitare. Aty u tha se “ndonëse në një botë të globalizuar kufijtë duhet të jenë sa më të hapur, sistemi ETIAS është model i shkëlqyer se si mund të përdoren përparimet teknologjike për të parandaluar çdo kërcënime të sigurisë”. Në kongres u konstatua se sistemi është plotësisht i pranueshëm dhe i thjeshtë.

Nënkryetari i parë i kongresit, Frans Timmermans, tha se prioritet është sigurimi i kufijve dhe mbrojtja e qytetarëve dhe se kjo do të mundësojë vendosjen e lejeve të menjëhershme për hyrje në vendet anëtare të BE-së. Gjegjësisht, sistemi evropian do të mbledhë informacione për të gjithë qytetarët që shkojnë në BE të cilët nuk kanë vizë dhe do të vlerësojë nëse ka ndonjë problem që mund t’i pengojë ata të udhëtojnë.

Të gjitha informacionet e paraqitura nga udhëtarët nga vendet e kërkuara për të aplikuar për ETIAS do të përpunohen automatikisht në bazat e të dhënave të BE-së dhe Interpolit për të përcaktuar nëse ka arsye për të refuzuar lejen e udhëtimit.

Aplikimi ETIAS mund të refuzohet nëse aplikanti ka precedent penal, është rrezik për shoqërinë ose është në listë vëzhgimi udhëtimesh të lidhur me terroristë të dyshuar. Gjithashtu, dhënia e informacionit të rremë gjatë aplikimit, si dhe udhëtimi nga zonë epidemike/pandemike, e cila mund ta bëjë aplikantin rrezik për shëndetin publik, mund të jetë arsye për refuzim.

Disklejmer i ri, baner, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button