Silva: Messi ndalet veç me pistoletë

Brazil-Argjentinë, është kjo një nga klasiket e futbollit botëror, që të gjithë shpresojnë të shijojnë në Kupën e Botës. Sigurisht që me humor, Thiago Silva pohoi se do të duhej të mbante një pistoletë në brez për të ndalur Lionel Messin, në rast se Seleçao do të gjendej përballë Albicelestes.

Në të shkuarën, kapiteni i Paris Saint Germain e ka parë veten në vështirësi me argjentinasin si kundërshtar në arenën e Champions League, dy herë kur ai ishte te Milani dhe njëherë me kampionët e Francës.

Për yllin e Barcelonës, Thiago Silva tha se është lojtari që duhet patur më shumë kujdes dhe sytë duhet të qëndrojnë gjithmonë hapur sepse Messi është i paparashikueshëm në çdo fraksion sekonde.

Pavarësisht dëmtimeve që ka kaluar 4 herë fituesi i “Topit të Artë”, për mbrojtësin brazilian, Leo Messi mbetet një nga lojtarët më të rrezikshëm në Botëror.

I pyetur për sfidat që do të dëshironte të bëheshin realitet në Brazil, Thiago Silva tha se takimet me Argjentinën janë një klasike e shumëpritur, por po kështu interesante do të ishte nëse rruga e Seleçaos kryqëzohet me Gjermaninë apo Spanjën, e cila kërkon hakmarrjen për humbjen e verës së kaluar, 3:0 në finalen e Kupës së Konfederatave.

Lajme të ngjashme

Back to top button