Kasami për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme: Duhet takim mes liderëve dhe të vendoset çka më tutje

Kreu i Lëvizjes Besa, i pyetur sot për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme deklaroi se këto duhet të diskutohen në takim të liderëve të partive parlamentare. Sipas Kasamit, prioritetet ndryshojnë varësisht nga pozicionimi në sferën politike, shkruan Portalb.mk.

“Nëse për Qeverinë janë të rëndësishme ndryshimet kushtetuese para zgjedhjeve, sigurisht që opozita kërkon zgjedhje që të merr përgjegjësinë për të zgjidhur edhe këto probleme”, theksoi Kasami.

Ai thotë që propozimi i tij është që këto çështje të diskutohen në takim të liderëve të partive parlamentare.

“Çdo parti politike pjesëmarrëse në atë takim, sigurisht parti parlamentare do të ketë mundësi të diskutojë për prioritetet e saj dhe më në fund të dalim me një dakordsi të përbashkët ku sigurisht do duhet të bëhet kompromis dhe të arrihet shumica edhe për të arritur ndryshimet kushtetuese por edhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nuk kemi si parti politike ndonjë qëndrim konkret për datë të caktuar jemi të shkohet sa më shpejtë në zgjedhje”, tha Kasami.

I pyetur për atë se çfarë janë prioritetet e partisë që ai udhëheq dhe për ndryshimet kushtetuese, Kasami theksoi:

“Për ne prioritet është që të avancohet çështja e shqiptarëve në RMV dhe konkretisht ne kemi kërkesë që përfundimisht të largohet definicioni nënçmues për shqiptarët 20 përqind. Duam që përfundimisht që shqiptarët të definohen si shqiptarë dhe gjuha shqipe si gjuhë shqipe. Për ne prioritet është edhe integrimi i vendit në BE dhe në asnjë moment nuk kemi pasur dilema sa i përket kësaj, si në të kaluarën dhe në të ardhmen do ta përkrahim. Ne vlerësojmë se ndryshimet kushtetuese mund të bëhen edhe pas zgjedhjeve sepse është më e drejtë karshi qytetarëve të del me ofertë konkrete se si e mendon zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe si e mendon vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit Eurointegrues, nëse kërkohet që kjo të ndodh para zgjedhjeve jemi të gatshëm që të ulemi të bisedojmë.”

Koalicionin e mundshëm parazgjedhor me VMDO-DPMNE-në Kasami e hodhi poshtë, pasi theksoi se e kanë bërë njëherë këtë gabim kur shkuan në koalicion me LSDM-në, dhe sipas tij ndryshe flitet parazgjedhjeve, dhe ndryshe veprohet pas.

“Prioritet i zhvillimeve në shtet janë zgjidhja e problemeve të klaneve brenda BDI-së, dhe jo përshpejtimi i integrimit në BE, dhe në këtë luftë mes partive në pushtet u gjend Lëvizja Besa e cila sigurisht donte që të implementonte programin e Qeverisë sa i përket integrimit të vendit në BE”, theksoi Kasami.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, sot deklaroi se për momentin nuk ka shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Në momentin kur do të konsiderojnë se i kanë kushtet për të nisur një iniciativë, unë jam i gatshëm si kryetar i Komisionit dhe i Kuvendit të veproj sipas procedurës, pasi të merret iniciativa më tutje”, tha Xhaferi.

Lidhur me çështjen e zgjedhjeve të parakohshme për votat e ndryshimeve kushtetuese, kryetari i Kuvendit thekson se vlerësimi i parë i kësaj duhet bërë nga këndvështrimi se a është në favor të procesit të shtetit drejt BE-së dhe nëse është në favor të interesave të qytetarëve.

Nga VMRO-DPMNE theksuan dje se mbeten të qëndrimit se nuk i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Ata në një konferencë për media theksuan se si parti mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se nëse do të ketë zgjedhje, në programin e tyre parazgjedhor do të deklarojnë në mënyrë të detajuar se si do të vazhdojë vendi në atë rrugë, i cili do t’i prezantohet në mënyrë transparente me votuesit të cilët nëse do të ketë zgjedhje do të vendosin nëse do ta mbështesin politikën e ofruar nga kjo parti.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh deklaroi se për të është e qartë se vendimi i deputetëve në Kuvend për ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë i lehtë, por nga ta pret që të tregojnë sjellje burrshtetasish. Ajo që është e qartë, theksoi kryeministri, është se deputetët kanë zgjedhjen ta lënë vendin në stagnim ose të marrin një vendim për një të ardhme më të mirë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button