U miratua buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2023, këshilltarët e opozitës nuk e përkrahën (VIDEO)

Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi buxhetin për vitin 2023 i cili kap vlerën prej rreth 29 milionë eurove. Shumica e këshillit (16) votuan për ndërsa opozita (14) votuan të përmbajtur. Kryetari i Komunës u zotua se buxheti do realizohet ashtu siç është paraparë ndërsa opozita kritikoi, shkruan Portalb.mk.

Gjatë seancës këshilltarët propozuan ide për ndarje të buxhetit për problematika të ndryshme siç janë: ndarjen e 500 mijë denarëve për komisionin për mundësi të barabarta, 600 mijë denarë për këshillimoren “Cortex” që merret me viktimat e dhunës në familje, 300 mijë denarë për mbrojtje sociale, 300 mijë denarë për park, për lumin “Shkumbin”, barriera betoni në rrugët e malësisë së Tetovës, kanalizim në fshatin Xhepçisht dhe të tjera.

Nga Sektori për Financa sqaruan se ka kufizime në buxhet dhe se janë munduar t’i përfshijnë këto kërkesa që u parashtruan edhe në debatin publik, por jo në shumat e kërkuara 100 përqind. Ndërkaq, kryetari i këshillit tha se këto kërkesa nga këshilltarët do të mundohen ti fusin në rebalansin e buxhetit.

Opozita kritikoi edhe për punësimet e përkohshme të parapara sepse siç thanë, kjo bëhet për të rehatuar militantë partiakë. Në lidhje me këtë akuzë, kryesuesi i këshillit, Besar Durmishi sqaroi se numri i të punësuarve me kontratë në vepër që do të mund të angazhohen është 69, siç tha ai, disa herë më pak nga vitet paraprake kur ata nuk udhëhiqnin me komunën. Ndërkaq, sqaroi se janë zvogëluar dhe përgjysmuar edhe shpenzimet për udhëtime brenda dhe jashtë vendit, telefon dhe DISA të tjera.

Opozita kritikoi edhe për mospërmbushje të premtimeve parazgjedhore. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës, tha këto premtime do të përmbushen. Ai theksoi se nuk është i kënaqur me buxhetin pasi përballen me probleme të trashëguara dhe se pushteti qendror nuk ndan financa për Komunën e Tetovës.

“Garantoj se buxheti do realizohet pikë për pike në interes të qytetarëve”, theksoi Bilall Kasami.

Këshilltarët komunal të ndarë në mendime, pozitë-opozitë.

  • Liridon Disha, këshilltar nga BDI:

“Këtë buxhet e konsiderojmë si buxhet të fiksuar për përmbushjen e nevojave të militantëve partiak. Në këtë buxhet është paraparë diku 500 mijë euro për punësime të reja me kontratë në vepër dhe 500 mijë euro të cilat janë shpërndarë nëpër zëra të reja buxhetor të cilat kryetari i komunës ka të drejtë ti japë për punësime të reja të militantëve partiakë.. Komuna duhet të jetë institucion që tu shërbejë të gjithë qytetarëve…Me këtë buxhet projektet kapitale janë shkurtuar dukshëm.”

  • Gligorije Stojanovski, këshilltar nga LSDM:

“Këtë vit buxheti është për transfere joproduktive dhe investime të vogla. Ne përgjithësisht nuk presim asgjë spektakolare për buxhetin, ky është buxhet partiak, e jo për investime reale për nevojat e qytetarëve tanë. Kemi parë që pagat e kontraktorëve po rriten, janë kuadro partiake të Besës dhe VMRO DPMNE-së. Propozimi ynë është që të dërgohet kërkesa në Ministrinë e Ambientit për ndërtimin e një stacioni matës për matjen e cilësisë së ajrit sepse ne si qytetarë jemi të prekur nga ajri i ndotur dhe shpresoj se qeveria do t’i dëgjojë kërkesat tona.”

  • Faton Selami, këshilltar nga Alternativa:

“E shfrytëzova të drejtën të jap tre propozime konkrete, vendosja e kangjellave mbrojtëse në muret e shtratit të Lumit Shkumbin në pjesën që kalon në qytet, vendosja e barrierave mbrojtëse në aksin rrugor Sellcë – Shipkovicë dhe Shipkovicë-Brodec, të fillohet me kanalizimin në fshatin Xepçisht. Të tre propozimet e mia nuk u pranuan.”

  • Angell Karapetrov, këshilltar nga VMRO-DPMNE:

“Ne si grup këshillues e kemi mbështetur buxhetin. Ai buxhet ka projekte që janë pjesë e programit tonë si parti. Disa nga propozimet tona janë pranuar në një pjesë të buxhetit për festimin e Krishtlindjeve në shesh në Tetovë, rindërtimin e këndit të lojërave në Bllokun 70 dhe lagjen Ajduçka, zgjidhjen e ujit të pijshëm në Saraqinë dhe Falisht. Të gjithë së bashku do të punojmë në realizimin e këtyre projekteve.”

  • Besar Durmishi nga Lëvizja Besa, kryetar i këshillit komunal:

“Vlen të theksohet që në këtë buxhet kemi inkorporuar një program zhvillimor ku do të parashihet për tre vite me radhë të investohet në infrastrukturën e qytetit. Rrugët që i kemi vendosur ti bëjmë janë: Bulevardi “Bllagoja Toska deri te rruga rajonale, bulevardi “V.S Bato” prej te qarkorja prej te fshati Lisec deri te Kodra e Diellit, rruga nga biblioteka e qytetit deri në fshatin Sellcë, rruga Boris Kidriç edhe shumë rrugë tjera. Kemi bërë një buxhet real.”

Buxheti këtë vit kap vlerën rreth 29 milionë eurove ndërsa vitin paraprak ishte 26 milionë euro. Javën e kaluar kishte edhe debat publik për të njëjtin ku qytetarët dhanë propozimet e tyre.

Krahas buxhetit, në rend dite ishin edhe raportet financiare të ndërmarrjeve publike për tre-mujorin e tretë të vitit si dhe themelimi i dy ndërmarrjeve të reja publike, për ujësjellës dhe kanalizim si dhe e higjienës komunale.

Seancën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button