Infrastruktura në RMV gjatë vitit 2022: Shumë projekte të filluara, pak nga ato të përfunduara në kohë

Numri i projekteve të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe gazsjellëse që kanë nisur të realizohen në terren është i madh, por në vitin që po kalon vazhdoi të jetë prezent problemi i mosrespektimit të afateve të realizimit dhe vonesat në lëshimin në përdorim të objekteve infrastrukturore. Si projekte të përfunduara nga pushteti në vitin 2022 mund të konsiderohen realizimi i fazës së dytë të autostradës Shtip-Koçan dhe ndërtimi i gazësjellësit magjistral nga Negotina deri në Manastir, shkruan Meta.mk.

Por, nga ana tjetër, ka shumë projekte infrastrukturore realizimi i të cilëve po vonon. Këtu mund të përmendet, para së gjithash, ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë, që po vonon bashkë me zgjedhjen e realizuesit dhe fillimin e ndërtimit të fazës së dytë të kësaj autostrade nga Bllaca deri në unazën e Shkupit me gjatësi prej 10 kilometrash. Meqenëse gjendja e rrugës ekzistuese për në Kosovë është katastrofike, në vitin 2023 pritet që prioritet t’i jepet lëshimit sa më të shpejtë në shërbim të dy kilometrave të para të kësaj autostrade.

Autostrada Shkup-Bllacë filloi të ndërtohet në vitin 2020 dhe premtimet fillestare të autoriteteve ishin që dy kilometrat nga kufiri me Kosovën deri në fshatin Bllacë do të përfundoheshin në vitin 2021. Paralelisht me këtë, për këtë vit u premtua se do të shpallet tenderi ndërkombëtar për përzgjedhjen e realizuesit që do të ndërtojë fazën e dytë të këtij projekti, por edhe këtu po vonon procedura nga organet kompetente për përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese që do duhet ta ndërtojë këtë pjesë.

Gjatë vitit 2022, Portalb.mk njoftoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga e premtuar Tetovë-Prizren. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit i cili është bërë në vitin 2013-të, duhet të jetë 40.6 kilometra dhe do të lidhet me tunel prej 6.4 kilometra. Varianti i zgjedhur është më i shtrenjtë sesa ai që rekomanduan ekspertët të cilët e kanë bërë analizën e arsyetimit ekonomik. Ata kanë rekomanduar që traseja më e favorshme është varianti me tunel prej 3.2 kilometra

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër vazhdoi edhe gjatë vitit 2022, por përfundimi i këtij projekti nga korridori rrugor 8 për një kohë të gjatë ka qenë objekt talljeje dhe kritikash nga qytetarët. Kjo pjesë rrugore e gjatë 57 km po ndërtohet për të nëntin vit me radhë dhe pritshmëritë e qeverisë janë që pas një dekade ndërtimi, autostrada e re të mund të lëshohet për përdorim më së voni deri më 31 dhjetor të vitit 2023. Kompania kineze “Sinohydro” u përfshi drejtpërdrejt në kryerjen e punimeve të ndërtimit, ndërsa situata në terren tregon se në gjysmën e dytë të 2022 aktivitetet ndërtimore në këtë pjesë janë intensifikuar.

Kërçovë – Ohër autostrada, foto ilustrim

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, por edhe ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski në drejtimet e tyre publike theksojnë se deri në vitin 2023 duhet të përfundojë ndërtimi i autostradës Кërçovë – Ohër. Pritet që në vitin 2023 të fillojë lëshimi në përdorim me faza i pjesëve të kësaj autostrade, ndërsa punimet më intensive të ndërtimit në fund të vitit u bënë në pjesën nga fshati Botun drejt Ohrit.

Në pjesën e infrastrukturës rrugore vitin 2022 e shënoi përfundimi i ndërtimit të autostradës Shtip-Koçan. Faza e dytë nga Krupishti deri në Koçan me gjatësi prej 13.75 kilometra është kompletuar si rrallë ndonjë projekt tjetër brenda afatit të planifikuar të realizimit. Gjatësia e përgjithshme e autostradës është 28 kilometra, ndërsa faza e parë e projektit u lëshua në përdorim në vitin 2020.

Në autostradën Shtip Koçan do të lëvizet me shpejtësi maksimale prej 110 kilometra në orë. Me finalizimin e saj, së bashku me autostradën tashmë të lëshuar Shtip-Radovish dhe autostradën Shkup-Shtip, këto vitet e fundit pjesa lindore e Maqedonisë u bë me një infrastrukturë të re rrugore me të cilën është shkurtuar ndjeshëm udhëtimi nga çdo vend i populluar në Lindje drejt Shkupit dhe anasjelltas.

I vetmi projekt i infrastrukturës rrugore realizimi i të cilës po bëhet me vonesë në pjesën lindore të Maqedonisë është autostrada Rankovce-Kriva Pallankë në Korridorin 8. Kjo rrugë ka një gjatësi të përgjithshme prej 24.5 kilometra dhe është e ndarë në dy pjesë, ajo nga DllaboçicaÇatalë dhe nga DllaboçicaKriva Pallankë. Premtimi fillestar i qeverisë ishte se kjo autostradë do të lëshohej në përdorim në vitin 2021, por sipas deklaratave aktuale të zyrtarëve qeveritarë autostrada e re do duhet të përfundojë në vitin 2023.

Përndryshe, vonesat e projekteve infrastrukturore rrugore këtë vit ishin pjesë edhe e Raportit të Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Korridori rrugor X është funksional, por punimet përgjatë Korridorit X-d vazhdojnë të vonojnë,” kritikoi Komisioni Evropian në Raportin për vitin 2022 dhe kërkoi nga shteti që të përforcojë kapacitetin operacional dhe teknik të të gjitha institucioneve të përfshira në zhvillimin e Rrjetit Transpotrues Trans-Evropian. (TEN -T).

Bëhet fjalë për autostradën Gradsko-Prilep, e cila tashmë plot shtatë vjet po ndërtohet. Afati fillestar për lëshimin e kësaj autostrade ishte fundi i vitit 2022, por edhe ky afat është shkelur. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore këtë vit përfundoi rehabilitimin e rrugës nga Farishi në Prilep përmes qafës “Pletvar”, e cila nga qeveria ishte premtuar si fazë e tretë e projektit.

Mirëpo, edhe në muajt në vazhdim do duhet të vazhdojë ndërtimi i autostradës nga Gradsko deri në Drenovë, si dhe nga Drenova deri në Farish, ndërsa në vitin 2023 qeveria do të duhet të respektojë afatin për përfundimin e punimeve dhe përfundimisht ta lëshojë në përdorim këtë autostradë.’

Viti i ardhshëm do jetë i rëndësishëm për Korridorin 10-d, sepse qeveria e Maqedonisë tashmë ka paralajmëruar fillimin e ndërtimit të autostradës Prilep-Manastir, e cila duhet të lidhet me autostradën Gradsko-Prilep. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, këtë muaj paralajmëroi se në vitin 2023 duhet të fillojë ndërtimi i autostradës Prilep-Manastir, si dhe i pjesëve rrugore Tetovë-Gostivar, Gostivar-Kërçovë dhe Trebenisht-Strugë-Qafë Thanë.

Praktikisht, ky premtim i Boçvarskit nënkupton se në vitin e ardhshëm konsorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka” do të duhet të fillojë me realizimin në terren të pjesëve të autostradës Korridori – 8 dhe 10-d. Bochvarski njoftoi se për ndërtimin e autostradave në korridorin rrugor 8 në vitin 2023 nga buxheti i shtetit do të ndahen vetëm 244 milionë euro. Drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi, më 14 dhjetor të këtij viti për televizionin “Alsat” njoftoi se tashmë është përzgjedhur mbikëqyrësi e punimeve për autostradat që do t’i ndërtojë “Bechtel-Enka” dhe se Procesi i marrëveshjes për kushtet e realizimit të këtyre autostradave mes qeverisë dhe konsorciumit amerikano-turk “Bechtel-Enka” duhet të përfundojë vitin e ardhshëm. Në fillim me punime do të fillohet në autostradën Kërçovë-Gostivar, por pritet që ndërtimi i kësaj autostrade të zgjasë edhe më gjatë se i tjerave, sepse ajo kalon nëpër terrene malore dhe për ndërtimin e saj do të nevojiten më shumë mjete financiare dhe më shumë kohë.

Nga aspekti i infrastrukturës hekurudhore, viti 2022 u shënua me fillimin e ri të ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë. E kuptoj skepticizmin e qytetarëve, por do punojmë shumë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski29 tetor të këtij viti, kur filluan punimet për ndërtimin e dy fazave të para të hekurudhës nga Kumanova deri në Kriva Pallankë.

Korridori hekurudhor 8 deri në Kriva Pallankë do të ndërtohet deri në vitin 2025, ndërsa për ndërtimin e saj janë angazhuar kompania austriake “Shtrabag” dhe kompania turke “Gülemark”. 12 muajt e ardhshëm të këtij viti do të jenë vendimtarë, sepse do të tregojnë se me çfarë ritmi do të kryhen punimet në terren për të përmbushur të paktën një herë afatin për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, e cila po ndërtohet që nga viti 1994. Projekti arrin vlerën e 155 milionë eurove për të dyja fazat aktuale të ndërtimit.

Megjithatë, viti 2023 është një vit kyç për hekurudhën drejt Bullgarisë dhe nga pikëpamja e fazës së tretë, e cila është edhe më e shtrenjta dhe më komplekse për t’u ndërtuar. Vlera e projektit të kësaj pjese është 406 milionë euro, por shuma përfundimtare që do të duhet ta paguajmë do të dihet vitin e ardhshëm, sepse pikërisht në muajt në vijim do të shpallet tenderi ndërkombëtar dhe do të zgjidhet ofertuesi më i favorshëm për ndërtimin e 24 kilometrave të fundit me 25 tunele dhe 51 ura nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë.

Foto ilustrim-Korridori 8

Si edhe në dy fazat e para, Bashkimi Evropian mbetet mbështetësi kryesor i vendit për ndërtimin e korridorit hekurudhor 8. Për hekurudhën nga Kumanova deri në Kriva Pallankë BE-ja ka siguruar 75 milionë euro të pakthyeshme. Gjithashtu, për pjesën nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair, nga BE-ja janë paralajmëruar mjete totale të pakthyeshme prej 210 milionë eurosh dhe shumica e tyre do të vijnë përmes realizimit të Planit Ekonomik dhe Investiv për Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2023, qeverisë maqedonase i mbetet ta përfundojë konstruksionin financiar për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, në mënyrë që vetë realizimi i projektit kapital të përfundojë deri në afatin e premtuar – vitin 2027.

I fundit, por jo me më pak rëndësi, për sigurinë energjetike të Maqedonisë së Veriut do të jetë përfundimi i rrjetit kryesor të gazsjellësit në vitin 2023. Qeveria e kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski në nëntor të këtij viti lëshoi në përdorim gazsjellësin kryesor Negotinë-Kavadar-Prilep-Manastir në gjatësi prej 92 kilometrash. Ky gazsjellës kryesor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, nëse qeveria e Maqedonisë planifikon ta përdorë gazin natyror për transformimin energjetik të REK “Manastir” në termocentral të ardhshëm me gaz.

Që të ndodhin çfarë do ndryshimesh më të rëndësishme në sektorin e gazit, në vitin 2023 qeveria do të duhet të përfundojë ndërtimin e gazsjellësit Shkup-Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 76 kilometrash, vënia në punë e të cilit po vonon tashmë për një kohë shumë të gjatë. Megjithatë, ajo që është qenësore sa i përket gazifikimit në vendi është ndërtimi i interkonjektorit të gazit me Greqinë, pra ndërtimi i gazsjellësit nga Negotina deri në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe lidhja me sistemin e gazsjellësit grek.

Gjatësia e interkonjektorit të gazit me Greqinë është 68 kilometra, marrëveshja për ndërtim mes dy vendeve u nënshkrua në vitin 2021, por ajo që pritet për momentin është realizimi praktik i punimeve ndërtimore në terren. Drejtori i Burimeve Nacionale Energjetike (BNE) Bajram Rexhepi kah fundi i vitit njoftoi se lidhja për furnizimin me gaz me Greqinë do të ndërtohet në vitin 2023. Por, që një premtim i tillë të realizohet e domosdoshme është shpallja e një procedure tenderimi dhe përzgjedhja e realizuesit i cili do e ndërtojë gazsjellësin.

Për momentin Maqedonia e Veriut ka të ndërtuar një lidhje për furnizim me gaz vetëm me Bullgarinë, nga ku deri më tani kemi importuar gaz natyror nga kompania ruse “Gazprom”. Për shkak të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, shtrëngimit të vazhdueshëm të sanksioneve të BE-së, SHBA-së dhe vendeve të tjera anëtare të G-7 kundër Moskës zyrtare dhe përdorimit të vazhdueshëm të furnizimit me gaz si armë politike nga Rusia, është e pasigurt nëse shoqëria e RMV-së në të ardhmen do mund të mbështetet në gazin rus. Për të siguruar pavarësi energjetike, qenësore është që vendi të ndërtojë interkonjektorin e gazit me Greqinë dhe gjatë vitit 2023 të sigurojë furnizues të tjerë më të besueshëm të gazit natyror.

Me pak fjalë, në vitin 2023 na presin projekte serioze infrastrukturore që nuk do të tolerojnë vonesa të mëtejshme të afateve të realizimit. Në lidhje me Korridorin hekurudhor 8 Komisioni Evropian bëri kritika të drejtpërdrejta, ndërsa një paralajmërim të rreptë bëri edhe për nevojën për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror në vend. Siguria e furnizimit me gaz për ekonominë maqedonase, sigurimi i ngrohjes qendrore në Shkup, sigurimi i fondeve shtesë të pakthyeshme nga BE-ja për projekte infrastrukturore dhe vetë rejtingu i qeverisë aktuale varet nga shpejtësia e realizimit të projekteve infrasktrukturore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button