PALIMPSESTI

Njeriu është qenie kulturore. Ai i ka shfrytëzuar zbulimet, shpikjet, dijet dhe përvojat e brezave paraardhës.

Truri i njeriut, ku ka mbivendosje dijesh e përvojash nga e kaluara, është palimpsest. Aty vazhdimisht shënohet diçka e re dhe, siç thonë psikanalistët, asgjë nuk fshihet përgjithmonë.

Palimpsesti i nënkupton shënimet e fshira në pergamenë ose në papirus ku janë rishkruar tekste të reja, por në thellësi ruhen gjurmët e shënimeve paraprake.

Edhe jeta e njeriut është palimpsest. Aty është e shënuar e tashmja, por edhe e kaluara.

Palimpsest është filozofia, shkenca dhe çdo krijimtari artistike.

Ka edhe teori, si ajo e intertekstualitetit, që merret me palimpsestin në letërsi.

Ne krijojmë një tekst (ose vepër) duke u bazuar në tekstet (veprat) paraprake, që ndërthuren vetvetishëm ose pavetëdijshëm në tekstin tonë. Tekstet tjera na shërbejnë për ta krijuar tekstin e ri.

Noli u ushqye nga librat e shenjtë. Prej tyre huazoi motive dhe figura si: Moisiun, Krishtin, Shën Pjetrin, Barabën, Kirenarin, por krijoi ndërlidhje edhe me kohën e tij.

Kjo mënyrë shkrimi haset që në antikë, kur autorët i shfrytëzuan mitet dhe i ndërthurën në veprat letrare. Shpesh mitit i dhanë kuptim të ri. Përveç se e risemantizuan mitin ndodhi që edhe e dekonstruktuan.

Nëse Eskili tha se ishte ushqyer me “rriskat nga gostia e Homerit”, Dostojevski shtoi se shumë shkrimtarë kishin dalë nga “manteli i Gogolit”, ndërkaq Borgesi, ky krijues palimpsestesh, shtoi: “Jam gjithë autorët që kam lexuar, gjithë njerëzit që kam njohur, gjithë gratë që kam dashur, gjithë qytetet që kam vizituar, gjithë paraardhësit e mi“.

Për këtë shkak Borges-i nuk besonte në mitin e origjinalitetit.

Një libër e lexon kultura jonë, një pikturë, skulpturë, shfaqje, a film e shikon kultura jonë, një melodi e dëgjon kultura jonë. I lexon njëkohësisht edhe ndërthurjet tjera më tekste, që studiuesit e quajnë ndërtekst. E kultura jonë varet nga tekstet tjerë.

Për ndërthurjen e teksteve foli edhe Pjetër Bogdani te Çeta e Profetëve.

“Andaj Sokrati ndoq Platonë, Platoni Aristotelnë, Aristoteli Averoenë, Cecilij muer prej Suplicijt, Lellij prej Varaonit, Henij prej Oratijt, Seneka prej Gellijt, Thesali prej Gallenit, Hermagora prej Ciceronit, e Ciceroni vetë muer prej Salustijt. Prashtu thà i dijtëshimi. Quis ille stylus? quid in eo ingenī? Ille commentator mera Rapsodia, de charta in papyrum.”

Stili, kështu, kalon nga letra në letër.

Edhe kultura është palimpsest. Çdo kulturë është shumështresore. Çdo kulturë ka huazuar e huazon nga kulturat tjera dhe u fal vlera të saj.

Kulturat pasurohen në ndërveprim. Kush pretendon se një kulturë nuk ka huazuar nga kulturat tjera, ai nuk ka haber nga kulturologjia. Kush pretendon se lindi gjeni e nuk u ndikua nga të tjerët është i mosmirënjohës.

Njeriu lind si “i pastër”, por ai pasurohet kulturalisht duke huazuar dije e përvoja nga të tjerët. Këtë e bëjnë edhe njerëzit me “virtytin e dhurimit”, siç i quan Niçe. Kush huazon pasurohet. Këtij pasurimi ia shtojmë qasjen dhe përvojën tonë. Kështu pasurohet njeriu, kultura, filozofia, letërsia, arti, shkenca.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button