Kovaçevski: Një trup ekspertësh të lartë të shërbimeve të sigurisë do të merren me kërcënimet me bomba

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në një intervistë për Televizionin nacional njoftoi se në mbledhjen e Këshillit për Koordinim të Shërbimeve të Sigurisë të mbajtur dhjetë ditë më parë është formuar trupi i përbërë nga ekspertë të këtyre institucioneve që do të punojë për mbrojtjen nga kërcënimet hibride duke përfshirë edhe kërcënimet me bombë, të cilat mbërrijnë pothuajse çdo ditë në adresat elektronike të shkollave dhe objekteve publike në vend, transmeton Portalb.mk.

Trupi, siç informoi Kovaçevski, do të koordinohet nga Byroja për Siguri Publike, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme.

“Në atë këshill morën pjesë ministrat e punëve të brendshme, të mbrojtjes, të punëve të jashtme dhe drejtorët e tri shërbimeve të inteligjencës – Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), Agjencisë së Kundërzbulimit (AK) dhe Inteligjencës Ushtarake. U diskutua për të gjitha këto kërcënime me bombë. Ne formuam një organ që përbëhet nga ekspertët më të mëdhenj nga të gjitha këto institucione që kam listuar. Byroja e Sigurisë Publike, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, do të koordinojë me organin në fushën e garantimit të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes nga kërcënimet hibride, si dhe diagnostikimin e sistemit në fushën e rezistencës së tij, që dë të bëhet në nivelin më të lartë profesional”, tha kryeministri Kovaçevski në intervistë.

Fillimi i raportimeve për bomba të vendosura, për të cilat Kovaçevski tregoi se ishin sulme hibride, ai e paralelizoi me luftën në Ukrainë, përkatësisht agresionin rus kundër vendit.

“Flasim për sulme hibride në pjesën më të madhe, sepse po të shikosh raportet për bomba që kemi në vendin tonë, e njëjta gjë ndodh edhe në vendet e tjera anëtare të NATO-s, por edhe në vendet joanëtare. Dhe kërcënimet me bombë praktikisht nisën me fillimin e luftës, me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, kur filluan edhe këto dukuri në vende të ndryshme. Nëse shikoni vetë përmbajtjen e mesazheve, mund të shihni se është një aktivitet i organizuar dhe për këtë arsye themi se janë kërcënime hibride, sepse mesazhi që merret kur raportohet për bombë në Maqedoninë e Veriut dhe ajo që pranohet në Mal të Zi apo Gjermani praktikisht kanë të njëjtën përmbajtje, pra kërcënime të karakterit politik dhe gjeostrategjik”, tha Kovaçevski.

Gjithashtu, shtoi ai, ka edhe kërcënime imituese nga qytetarët tanë, kryesisht të mitur.

“Këtu dua të dërgoj një mesazh si prind dhe si kryeministër që të rinjtë të mos e bëjnë këtë, sepse është një vepër e rëndë penale në fushën e terrorizmit. Besoj se këta persona nuk duhet të jenë në lista të tilla që në moshë të re, që do t’i karakterizojë gjatë gjithë jetës si terroristë. U bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe të gjithë qytetarëve që të mos përfshihen në aktivitete të tilla sepse kjo nuk sjell mirë për shoqërinë, e më së paku u sjell mirë atyre”, tha Kovaçevski.

Në Kuvend u diskutua edhe për masat e marra nga institucionet kompetente në lidhje me raportimet për bomba, por opinioni nuk mësoi asgjë për përmbajtjen e referimit para komisioneve parlamentare, pasi seancat u mbajtën me dyer të mbyllura.

Seanca e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, në të cilën ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski u referua për këtë çështje, është mbajtur pa praninë e opozitës. Deputetët e VMRO-DPMNE-së e braktisën seancën për shkak se Spasovski kërkoi dhe shumica në Komisioni e pranuan propozimin e tij që ajo të jetë e mbyllur për publikun.

Komisioni për mbikëqyrjen e punës së ASN-së, ku duhej të flasë drejtori i Agjencisë, Zharko Milloshevski dhe duhej t’i raportonte për masat rreth kërcënimeve me bombë, poashtu nuk u mbajt, për të njëjtën arsye.

Përndryshe, dje në 20 shkolla në Shkup dhe Kumanovë kishte raportime për gjoja bomba, të cilat pas kontrolleve antiterroriste u konstatuan se ishin të rreme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button