Në temperatura të ulëta, ajër të ndotur dhe “mes viruseve”, qytetarët e Shkupit përballen me kaosin e transportit publik

Vazhdon të mbizotërojë kaosi në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, i cili tanimë disa muaj nuk po gjen zgjidhje për ta stabilizuar transportin publik, ndërkohë qytetarët po e paguajnë çmimin e paaftësisë së institucioneve, të cilat ligjërisht obligohen të ofrojnë transport publik, të rregullt dhe efikas, shkruan Portalb.mk.

Stacionet e autobusëve nëpër Shkup janë të mbushura përplot me qytetarë të cilët, në temperatura të ulëta, janë të detyruar t’i presin autobusët e linjave të vonuara që nuk e respektojnë orarin që Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) e ka publikuar në ueb-faqe.

Të sëmurët nuk kanë mundësi të shkojnë në kohë në terminët e caktuara në mjek, punëtorët vonohen në punë ashtu sikur nxënësit dhe studentët në ligjërata. Dhe kjo, nuk është vetëm çështje e funksionimit të një ndërmarrjeje në kuadër të qytetit, por është çështje e trajtimit të qytetarëve të cilët meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe në kushte normale.

Pritjet bëhen edhe më të vështira kur, tanimë disa ditë me radhë, Shkupi ndodhet në “top-listën” e qyteteve më të ndotura në botë, për çka, prej mesditës së 26 dhjetorit deri në fund të të 27 dhjetorit, me rekomandim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, u miratua vendim që transporti publik të jetë falas për qytetarët.

Turmat e qytetarëve në stacione: 27.12.2022. Foto: Duam Çair të Pastër
Turmat e qytetarëve në stacione: 27.12.2022. Foto: Duam Çair të Pastër

Në mungesë të transportit publik të rregullt, qytetarët detyrohen të udhëtojnë me automjete, të cilat kontribuojnë në rritjen e ndotjes së ajrit, por edhe në rëndimin e kaosit në komunikacion. Por, edhe këtë mundësi nuk e ka gjithkush. Udhëtimi për nevoja të përditshme me automjet personal është më i kushtueshëm, ndërkaq me taksi edhe më i “kripur”.

Prandaj, në këto kushte dhe rrethana, qytetarët detyrohen ta presin autobusin i cili në vend që të vijë për 7-8 minuta, vjen 30 apo 1 orë.

Në autobusët që i kanë pritur gjatë, qytetarët detyrohen të shtyhen dhe ngjitur me njëri tjetrin të udhëtojnë me kilometra, në këtë periudhë kur ka qarkullim më të madh të viruseve dhe sëmundjeve të transmetueshme lehtë.

Por, shpesh ndodh që qytetarët të cilët kanë pritur kaq gjatë, madje të mos munden as të ngjiten pasi që thjeshtë në autobusët e stërmbushur s’ka vend as për “gjilpërën”. Kështu, do të mbeten duke e pritur autobusin e radhës i cili nuk dihet se kur vjen.

Portalb.mk dërgoi pyetje deri te NQP në lidhje me mosrespektimin e orarit të linjave të transportit publik, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dërguar përgjigje.

Shfuqizimi i transportuesve privat e rëndoi kaosin

Ndryshe, kaosi i transportit publik u rëndua pasi që Qyteti i Shkupit, nën arsyetimin se nuk e kanë respektuar marrëveshjen, në nëntor i shfuqizoi marrëveshjet me transportuesit privat “Slloboda Prevoz” dhe “Makekspres” të cilët me 200 autobusë kanë shërbyer 10 linja. Transportuesit privat akuzojnë e Qyteti i Shkupi u ka borxh të kompanive gjithsej 1.5 milion euro. Për t’ia vënë “kapakun” krizës, transportuesit privat disa ditë protestuan duke i bllokuar tre udhëkryqe në Shkup me çka paralizuan komunikacionin.

Megjithatë, problemi ende nuk është zgjidhur. Pas kërkesës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski, transportuesit i kanë liruar rrugët me qëllim që të takohen dhe të bisedojnë për problemin. Nga ana tjetër, kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, madje nuk pranon as të takohet me transportuesit privat dhe ka publikuar disa shpallje për transportues privat, por që nuk kanë të drejtë të aplikojnë dy kompanitë me të cilat janë shfuqizuar marrëveshje. Arsovska i ka ftuar transportuesit privat që të aplikojnë individualisht.

Tani që NQP Shkup është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen 200 autobusët privat, qytetarët vazhdimisht janë ankuar për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata janë paguar për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Back to top button