Edhe përkundër zënkave me Arsovskën, VMRO-DPMNE votoi buxhetin e qytetit të Shkupit për vitin 2023, kap vlerën e 114 milionë eurove

Me 28 vota “pro” mbrëmë vonë është votuar buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin e ardhshëm, në vlerë prej 114 milionë euro. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së e kanë votuar përkundër zënkave me kryetaren Danela Arsovska, ndërsa LSDM-ja nuk e ka përkrahur dhe ka abstenuar nga votimi. Kjo nuk e bllokoi punën e qytetit siç pritej, pasi Arsovska u përplas me VMRO-DPMNE-në në shtator dhe që nga ajo kohë ata vazhdimisht luftojnë njëri-tjetrin, duke akuzuar njëri-tjetrin për krime dhe bllokada, madje kryetarja tha se lideri i partisë Hristijan Mickovski e kërcënoi se do ta tërheqë zvarrë nëpër rrugë, transmeton Portalb.mk.

Buxheti bazë i qytetit do të jetë 72 milionë euro, subvencionet nga pushteti qendror do të jenë 33 milionë euro, nga aktivitetet vetëfinancuese 5,7 milionë euro dhe nga donacionet 2,5 milionë euro.

Në materialet që iu dorëzuan këshilltarëve, por jo edhe gazetarëve, nuk ka përshkrime të projekteve dhe sa para janë parashikuar për to, vetëm paratë totale të shpërndara sipas sektorëve. Për shembull, thuhet se për sektorin e mjedisit jetësor janë planifikuar 96.300.000 denarë ose për aktivitete komunale 2.713.750.000 denarë, por projektet që do të realizohen nuk janë renditur veç e veç, siç është bërë vite më parë.

“Të gjitha projektet që kanë filluar do të vazhdojnë. Luna Park do të ndërtohet, do të punohet në kryqëzimin në Momin Potok, në zgjidhjen e bulevardit pas urës së Lubjanska, në bulevardin Boris Trajkovski drejt Pintijës, si dhe zgjerimi i bulevarit në rrugës aktuale Cvetan Dimov, e cila është një pengesë në Çair. Falë Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe konstruktivitetit të të gjitha grupeve të këshilltarëve do të realizohen një numër i madh i projekteve nga programi “Për Shkup modern”. Parashikohen mjete të konsiderueshme për subvencione për kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve që kanë vështirësi për shkak të krizës aktuale ekonomike dhe energjetike”, tha Arsovska.

Buxheti nuk përfshin para për premtimin kryesor elektoral të Arsovskës, vendosjen e transportit falas me autobus për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë. Për NTP-në janë paraparë subvencione prej 12 milionë eurosh, por ato para janë për transport falas për pensionistët dhe për tejkalimin e vështirësive në funksionimin e ndërmarrjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button