Kumanova do të ketë transport falas me autobus, tani për tani është paraparë të zgjasë 6 muaj dhe do të kushtojë gjysmë milioni euro

Komuna e Kumanovës nga 1 janari do të vendosë transport publik falas, i cili është paraparë të zgjasë 6 muaj. Për atë shërbim transportuesit privatë do të paguhen 30 milionë denarë ose 485 mijë euro nga buxheti i komunës. Propozim-vendimi për subvencionimin e transportit komunal të linjës së udhëtarëve në zonën e Komunës së Kumanovës u miratua njëzëri nga këshilltarët nga pushteti dhe opozita në seancën e djeshme, e cila zgjati deri në orët e vona të natës, transmeton Portalb.mk.

“Me futjen e transportit urban falas, shpresojmë që qytetarët ta përdorin gjithnjë e më shumë dhe të mos i përdorin veturat për të shkuar në kafe në zonën qendrore të qytetit. Me realizimin e këtij projekti do të mbrohet mjedisi dhe do të zvogëlohet bllokimi i trafikut”, tha Lidija Lang-Spasovski, udhëheqëse e Departamentit për shërbime komunale në Komunën e Kumanovës.

Transporti publik falas do të ofrohet nga transportuesit privatë të cilët tashmë kanë licencë dhe kontratë pune dhe aktualisht janë duke kryer shërbimin në Kumanovë. Planifikohet që orari ekzistues të plotësohet me nisje të reja që do të jenë të nevojshme për qytetarët apo kompanitë dhe do të vendosen stacione të reja moderne të autobusëve me tabela informuese për orarin e ri. Transportuesit do të paguhen 40 denarë për kilometër të kaluar, të cilat do të funksionojnë në 27 linja në vendbanimet ndërurbane dhe fshatrat. Nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm janë të përjashtuar nga ky transport, pasi Ministria e Arsimit ofron bllok dotacione për ta.

Ideja për të futur transportin falas në qytetin e Kumanovës ishte ide e kryetarit të komunës Maksim Dimitrievski, me qëllim që siç u th ai, për t’i ndihmuar qytetarët në kohë krize ekonomike dhe energjetike, për të reduktuar ndotjen e ajrit, për të zgjidhur kaosin në komunikacion, problemin e parkimit dhe reduktimin e taksive “të egër” në qytet.

Për qëllime të projektit u krye një anketë telefonike dhe online, ku 79 për qind e të anketuarve deklaruan për transport falas, 13 për qind ishin kundër. Vetëm 28 për qind e të anketuarve thanë se përdorin transport publik.

“Që në muajin e parë do të bëjmë një analizë gjithëpërfshirëse dhe nëse shohim që diçka nuk funksionon, do ta ndalojmë projektin dhe do të vazhdojmë si më parë. Do të dalim me informacion se sa udhëtarë kanë përdorur transportin, sa të rregullta kanë qenë linjat dhe në komunikim me komunitetet lokale do të kuptojmë nëse qytetarët janë të kënaqur. Me instalimin e sistemit GPS do të kemi kontroll shtesë. Ky vendim është për 6 muaj derisa zgjat kriza energjetike, ndërsa për më tej do të shohim, nëse kemi mjete mund ta zgjasim edhe për një vit dhe nëse do të realizohen pritjet tona”, tha Dimitrievski.

Disa nga këshilltarët theksuan se vendimi për vendosjen e transportit publik falas është marrë pa i sqaruar të gjitha dilemat se si do të funksionojë në praktikë, ndaj dyshuan se ishte një eksperiment shumë i kushtueshëm që mund të dëmtonte qytetarët dhe Komunën.

“Në vendim nuk thuhet se sa autobusë do të përdoren në këtë transport linjash dhe sa është numri total i përdoruesve potencialë të shërbimit. Unë besoj se Këshilli duhet t’i ketë këto të dhëna, nëse është bërë një analizë e tillë. 30 milionë denarë janë shumë para për të shpenzuar menjëherë, dhe ky është një eksperiment shumë i shtrenjtë për të pasur dilema. Ne e kemi përvojën me Qytetin e Shkupit për angazhimin e transportit privat dhe problemet që u shfaqën aty. Besoj se duhet të bëhet një marrëveshje për 3 muaj, derisa të sqarohen këto dilema dhe ne si qytetarë dhe përfaqësues të Këshillit të informohemi më shumë”, tha këshilltari Mile Andonovski nga Partia e pensionistëve, i cili e mbështeti iniciativën, por kërkoi nga Komuna që të jetë më e kujdesshme në shpenzimin e parave publike.

Kumanova është komuna e parë në vend që ka vendosur transportin publik falas për të gjithë qytetarët. Komuna në fillim të vitit kishte probleme me organizimin e transportit për shkak të një procedure të vonuar, kështu që për gati 6 muaj disa vendbanime periferike mbetën pa transport. Pastaj Dimitrievski premtoi se do të ketë transport të subvencionuar për ata qytetarë për t’i kompensuar shpenzimet që duhet të paguajnë për taksi. Por siç tha edhe vetë dje, e ka zgjatur atë vendim, kështu që jo vetëm për ata qytetarë, por për të gjithë do të ketë transport falas.

Komuna po mendon që pas përfundimit të kontratës pesëvjeçare me kompanitë private të krijojë një kompani publike për transportin urban, por për momentin nuk ka mundësi financiare për një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button