Tentuan t’i trafikonin 16 të mitur drejt Italisë, u arrestuan 10 shtetas të Kosovës në Durrës

Dhjetë shtetas nga Kosova janë arrestuar në Durrës të martën. Ata janë kap në flagrancë duke tentuar të trafikojnë drejt Italisë një grup të miturish, raporton Koha.net. 16 fëmijët e mitur janë rreth 17 vjeç. Ata do të kalonin në Itali të kamufluar si anëtar të një ekipi sportiv. Familjeve të fëmijëve u janë marrë tre deri në katër mijë euro nga personat e arrestuar.

Operacioni i quajtur “Ekipi” u zhvillua nga Policia Kufitare Durrës dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë, Durrës

Burime zyrtare bën me dije se personat e arrestuar janë B.B., D.SH., D.G., F.B., F.GJ., Q.K., A.D., E.D., B.K. dhe A.K..

Sipas informacioneve, të miturit janë prezantuar si ekip sportiv, ndërsa të arrestuarit janë prezantuar si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit sportiv.

Njëri nga të arrestuarit është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 5.945 euro.

Të miturve u ishte premtuar se do të kalonin në Itali e më pas dyshohet se do të kërkonin azil.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B.H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë.

“Të arrestuarit po dyshohen për veprën penale ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë, Durrës.

Nuk dihet se me çfarë dokumentesh kanë kaluar në pikë-kalimin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë të miturit që po trafikoheshin drejt Italisë. Në bazë të legjislacionit në Shqipëri, çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç duhet të jetë i shoqëruar nga të dy prindërit. Kur I mituri shoqërohet vetëm nga njëri prind, roja kufitare kërkon deklaratën noteriale nga prindi tjetër dhe kur i mituri nuk shoqërohet nga asnjëri prind, kërkohet deklarata noteriale e firmosur nga të dy prindërit ose nga kujdestari i tyre. Kur njëri nga prindërit deklarohet I vdekur, kërkohet certifikata e vdekjes.

Ismet Hodaj, shef operativ në Stacionin e Policisë Kufitare në Vermicë sqaron për KOHËN se në Kosovë kërkohet vetëm noteria e njërit prind nëse fëmija është nën 16 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button