500 metrat e fundit në tunelin e Llogarasë, planifikohet të hapet muajin e ardhshëm

Tuneli i Llogarasë, një ndër projektet infrastrukturore të qeverisë në jug të vendit, pritet të hapet plotësisht brenda muajit Janar. Gjatë inspektimit të punimeve, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se falë ecurisë pozitive të punimeve tuneli do të inaugurohet përpara afatit të parashikuar, raporton Klan.

“Na kanë ngelur dhe 500 metrat e fundit, kishim vendosur në fillime një afat për fundin e Shkurtit që do të hapej pra, i gjithë tuneli. Me llogaritë e sotme i bie mesi i Janarit”, tha Balluku

Krahas zhvillimit të turizmit në bregdetin e jugut, pritshmëritë e qeverisë janë të  mëdha për shkak edhe të ndërlidhjes që ky tunel do të sjellë me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Që të dy këto vepra do të ndihmojnë njëra-tjetrën, sepse automjetet do të kalojnë tashmë nga tuneli i Llogarasë, ashtu dhe tuneli i Llogarasë do të ndikojë në numrin e vizitorëve të cilët do të ulen në Vlorë tashmë dhe jo vetëm në Tiranë”, shtoi ajo.

Sipas Ministres Balluku përfundimi i tunelit në Gusht të 2024 i jep fund jo vetëm makthit të turistëve që kalonin nga qafa e Llogarasë, por njëherazi i vjen në ndihmë edhe bizneseve që kanë përqendruar investimet e tyre në bregdetin e jugut.

“Ky ishte tuneli që ishte kthyer në një ëndërr për të gjithë shqiptarët, sidomos për të gjithë ata investitorë të cilët tashmë kanë nisur investimet e tyre në jug”, përfundoi ministrja.

Tuneli i Llogarasë është 5.9 kilometra i gjatë dhe kap vlerën e 139.6 milionë Eurove. Ai do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura, nga 110 dhe 40 metra të gjatë. Kalimi i mjeteve të transportit rrugor në këtë tunel do të jetë me pagesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button