Prej 1 janarit, mjekët e Maqedonisë së Veriut do të paguhen më shumë për çdo pacient të regjistruar

Prej 1 janarit, do të rritet vlera e pagesës për mjekët e zgjedhur të mjekësisë së përgjithshme dhe gjinekologjisë nga 63 denarë në 75 denarë, ndërsa për mjekët e zgjedhur të stomatologjisë,, vlera do të rritet nga 48 në 61 denarë për person të siguruar, transmeton Portalb.mk.

Këtë vendim e shpalosi Fondi për Sigurim Shëndetësor, vendim i cili vjen pas negociatave ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Mjekëve dhe Dhomës së Stomatologëve.

Fondi vlerësoi se përmes këtij ndryshimi do të përmirësohet statusi i mjekëve të zgjedhur ne mjekësinë primare, me çka do të ketë edhe angazhim më të theksuar në reformat e shëndetësisë primare.

Mjekët privatë në muajin shtator kishin vendosur që përmes një proteste treditore paqësore të mos japin udhëzime dhe receta, me kërkesë për rritjen kuotës financire. Krahas kësaj, ata kërkojnë ndër të tjera “shëndetësi elektronike, fshirjen e shkallës destimuluese, rritjen e buxheteve për specialistët dhe laboratorët dhe për klinikat rurale, të mos mbyllen ordinancat e mjekëve që duan të vazhdojnë punën mbi 64 vjet”.

Mjekët paralajmërojnë se ordinancat po mbyllen çdo ditë dhe se ekziston rreziku që rajone të tëra të mbeten pa ambulanca.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali kishte deklaruar se ka gjashtë muaj që po diskutohet për gjetjen e zgjidhjeve, por edhe se ndryshimet nuk bëhen në afat të shkurtër apo nën presion. Ai nuk e përkrah grevën e paralajmëruar, pasi siç thotë nuk mund të bojkotohet puna përmes pacientëve.

Situata e keqe me mjekët në shëndetësinë private ka bërë që në pesë vitet e fundit numri i mjekëve të bjerë nga 1800 në 1436. Ata përkujtuan se në shëndetësinë publike pagat janë ngritur disa herë, ndërsa kapitimi i tyre është 63 denarë, me vlerë që nga viti 2018.

Mjekët amë në periudhën e fundit kanë mbajtur dy protesta të tilla paqësore, por kanë qenë në ordinancën e tyre, ku nuk kanë pritur pacientë. Por vlerësojnë se nuk ka rezultat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button