Tetovarët e acaruar, kërkojnë mbylljen e restorantit “Teleferiku”- ELEM

Vite me radhë restoranti “Teleferiku”- ELEM duke organizuar dasma me muzikë të lartë terrorizon banorët e Tetovës ankohen për Portalb banorët e lagjes “Çarshia e Epërme” . Me fillimin e sezonit të dasmave, banorët tejet të irrituar kërkojnë që ky restorant të mbyllet.

“Verës çdo natë ka dasmë dhe zgjat deri në ora 3, 4 e mëngjesit. Ne nuk mund të flemë, nga muzika me zë të pakontrolluar. Madje ditën as për ceremoni të varrimit nuk ndalet muzika, ky është mosrespekt i skajshëm ndaj muslimanëve të vendit, shprehet për Portalb, Albert Rufati, banor i Tetovës.
Ai ka formuar këshill iniciativ dhe ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mbylljen e restorantit.

“Në koordinim me qytetarët e Tetovës nga lagje të ndryshme kërkojmë nga institucionet relevante: Kryetares së Komunës, Këshillit Komunal, Partive Politike, Myftinisë së Tetovës, Avokatit të Popullit si dhe nga Organizatat joqeveritare që: URGJENTISHT dhe me procedurë të përshpejtuar të marrin masa për ndalimin e zhurmës që pengon banorët e lagjes në përditshmëri gjatë sezonit të verës kur fillojnë dasmat nga Restoranti “Teleferiku”- ELEM, njëherit pengon edhe në ceremonitë e varrimit të ndonjë familjarit tonë nga muzika që del nga ai lokacion.” shkruhet në apelin e tyre.

Rufati shpjegon se vetëm vitin e kaluar me dhjetëra herë janë paraqitur në polici për të reaguar, por pa sukses, zhurma ka vazhduar. I irrituar thotë që nëse problemi i tyre nuk zgjidhet këshill inciativ do të marrë masa më të ashpra pasojat e të cilit do ti bartin institucionet e lartpërmendura.

Komuna: Të hënën e shqyrtojmë çështjen

Nga Komuna e Tetovës për Portalb thanë se këtë çështje do ta shqyrtojnë të hënën për të parë se çfarë mund të bëjnë në kuadër të kompetencave të tyre.

Policia: Nuk kemi të dhëna për rastin

Portalb foli edhe me zëdhënësin e policisë, Marjan Josifoski i cili tha se për rastin ne fjalë nuk ka të dhëna dhe se policia çdoherë ka ndërmarrë aksion kur qytetarët janë lajmëruar. Ndërkaq, ai tha se për të paraqitur kundërvajtje për prishje të rendit publik dhe qetësisë ka procedura të tjera.

“Ne kemi reaguar, por gjithsesi të hënën do tua konfirmojmë për rastin konkret “tha për Portalb, Josifoski.

Pronari i restorantit “Teleferiku”- ELEM, mbetet i pakapshëm për redaksinë tonë.

Sipas traditës, qyteti i Tetovës, me ardhjen e verës dhe kurbetçarëve nuk kalon natë pa muzikë dasmash. Në ditë organizohen dhjetëra dasma ndërsa askush nuk e sanksionon muzikën e lartë të salloneve të hapura. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. ishalla i mbyllin krejte keto lokalet jena lodhe nga keto dasmat skemi pushim pore malltretime ska dasma ne kohen e sodit tek shqiptaret

Back to top button