Kurti takoi liderët e KFOR-it dhe EULEX-it: Liria e lëvizjes duhet të rivendoset

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, raporton REL. Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, “konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.

Disa barrikada janë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet nga autoritetet kosovare se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Në takimin e së hënës mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa për takimin njoftoi edhe KFOR-i në platformën Twitter.

“Sot, komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia u takua me zotëri Albin Kurti dhe zotëri Lars-Gunnar Wigermark për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë”, thuhet në postimin e KFOR-it.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. Mbledhja u thirr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe në të u diskutua për “incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”, që sipas Qeverisë së Kosovës, po veprojnë kundër rendit kushtetues.

“Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, u tha në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button