Jahjaga: Dilni e votoni, rrugën e Kosovës e vendosni

Presidentja Atifete Jahjaga, përmes një mesazhi publik, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë nesër në zgjedhje në numër sa më të madh.

Jahjaga ka shprehur edhe dhembjen për tragjedinë në Korporatën Energjetike të Kosovës, ngjarje e cila, siç thotë Jahjaga, “na goditi të gjithëve”.

“Në këto momente të vështira për vendin tonë dhe me humbjen e jetës së punëtorëve të devotshëm të KEK-ut, ju bëj thirrje të jemi të bashkuar për t’u solidarizuar në dhembje me të gjithë ata që u prekën nga kjo fatkeqësi e rëndë. Të bashkuar, ashtu siç kemi qenë deri më tani, u kemi bërë ballë shumë sfidave, sakrificave dhe dhembjeve. Ndonëse i ndjejmë thellë në zemrat tona, ato nuk na kanë ndalur në synimin tonë për të krijuar një Kosovë demokratike”, ka thënë Jahjaga në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Megjithatë, ajo thotë se nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për Kosovën, “kur të gjithë ju, qytetarë të barabartë të këtij vendi, do të vendosni për të ardhmen e shtetit, përmes votës Tuaj, një e drejtë themelore dhe e garantuar”.

“Nesër, do të vendosni ju qytetarë të Republikës së Kosovës për rrugën e Kosovës në proceset e konsolidimit ndërkombëtar, të integrimeve dhe mbi të gjitha për demokracinë e brendshme të vendit”, ka thënë Jahjaga.

Ajo i ka siguruar qytetarët e Kosovës se do të bëhet çmos që vota të mbrohet. “Mekanizmat dhe institucionet e Kosovës do të angazhohen fuqishëm që vota e qytetarit të jetë e paprekshme dhe e pacenuar. Të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit të zgjedhjeve, më 8 Qershor do të jenë të mobilizuara për të garantuar një proces të rregullt dhe të lirë zgjedhor”, ka thënë presidentja e vendit.

E para e vendit ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme në vend do të vëzhgohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe misionin e vëzhguesve të BE-së, që, sipas saj, do t’i jap një legjitimitet më të madh këtyre zgjedhjeve, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet komunale të vitit të kaluar kanë vendosur një standard demokratik të cilin duhet ta mbajmë edhe tash.

“Prandaj, zgjedhjet e përgjithshme të 8 Qershorit, duhet të kenë vulën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, zgjedhjeve që do të përcaktojnë pjekurinë e shoqërisë sonë si zgjedhje gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar në secilën pjesë të vendit të ketë mundësinë që lirshëm ta thotë fjalën e tij. E drejta për të votuar është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e vendit dhe këtë të drejtë e gëzojnë të gjithë qytetarët. Vota e juaj është votë për të ardhmen e vendit tonë. Dita e nesërme do të jetë provë e një Kosove demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të zhvilluar”, ka thënë në fund të mesazhit të saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Back to top button