Buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 do të jetë rreth 19 milionë euro, në fokus përballja me krizën energjetike

Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi prezantuan Buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023. Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë për vitin e ardhshëm është rreth 19 milionë euro dhe janë planifikuar masa për përballimin e krizës energjetike, mbështetjen e amvisërive dhe kompanive për zbatimin e masave për efikasitet energjetik dhe burimet e rinovueshme të energjisë, mbështetje ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrjen, turizmin, si dhe ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit në vend.

Kryeministri Kovaçevski tha se në vitin 2023 vazhdon mbështetja financiare për familjet, për panelet fotovoltaike, sistemet e kolektorëve termikë diellorë, si dhe për ndërrimin e dritareve prej alumini PVC.

“Investime të tilla me burime të rinovueshme u mundësojnë qytetarëve të plotësojnë nevojat e tyre për energji elektrike, por edhe të kenë kursime në kohë krize”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ministri Bekteshi tha se fokusi i Ministrisë së Ekonomisë në vitin 2023 do të jetë përballja me krizën energjetike.

“Janë siguruar 3,2 milionë euro për realizimin e masave për përballje me krizën energjetike dhe për mbështetjen e amvisërive dhe kompanive për zbatimin e masave për efikasitet energjetik dhe burimet e ripërtërishme të energjisë, që paraqet thuajse tre herë më shumë se mjetet e realizuara për vitin 2022 prej 1,1 milionë euro. Në fushën e energjisë do të zbatohet Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të rrezikuar të energjisë, gjegjësisht do të ofrojë mbështetje financiare për personat me të ardhura të ulëta dhe në të njëjtën kohë ky program do të zgjerohet për të përfshirë edhe kategori të tjera të cenueshme sociale, si përfituesit e së drejtës për dëmshpërblim për shkak të aftësisë së kufizuar, prindër të vetëm që nuk janë të regjistruar përfitues të asistencës minimale të garantuar dhe përfitues të së drejtës për kompensim për dëmin fizik. Gjithashtu, programi për promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit së energjisë në amvisëri përfshin disa masa – rimbursimin e një pjese të kostove të blerjes dhe instalimit të paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike deri në 6 kW për konsum vetanak nga familjet, rimbursimi i një pjese të kostove për blerjen dhe instalimin e sistemeve të kolektorëve termikë diellorë në amvisëri dhe rimbursimin e një pjese të shpenzimeve për ndërrimin e dritareve PVC apo alumini në amvisëri”, tha ministri Bekteshi.

Si masë e re, ministri tashmë ka promovuar Programin për rimbursimin e një pjese të kostove për ndërtimin e një lidhjeje në rrjetin e shpërndarjes së gazit për amvisëritë për vitin 2023.

Ky program, siç bëri me dije ministri, do të subvencionojë një pjesë të kostove totale për kyçjen në rrjetin e shpërndarjes së gazit për amvisëritë në komunat ku është zhvilluar rrjeti i shpërndarjes së gazit natyror.

Në pjesën e mbështetjes së industrisë përpunuese, për vitin 2023 janë planifikuar rreth gjysmë milioni euro për programin për konkurrencën e industrisë përpunuese dhe përgjegjësinë sociale.

Fondet janë të destinuara për zbatimin e strategjisë industriale, zbatimin e përgjegjësisë sociale, zbatimin e specializimit të zgjuar dhe zbatimin e strategjisë së eksportit.

Për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme vitin e ardhshëm në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë parashikuar 1 milion euro, respektivisht 62 milionë denarë për Programin për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Në pjesën e mbështetjes së turizmit, me propoizim buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 janë parashikuar 385 mijë euro për Programin për zhvillimin e turizmit.

Për vitin e ardhshëm për realizimin e investimeve në rrjetin e gazsjellësit përmes SHA REN janë parashikuar 3,3 milionë euro. Këto mjete janë të dedikuar për realizimin e projekteve Interkoneksion Maqedonia e Veriut-Greqi, Maqedonia e Veriut-Kosovë, Maqedonia e Veriut – Serbi si dhe Terminalin GLN Aleksandropolis, Greqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button