Kërcënimi me bomba në dy shkollat fillore të Tetovës ishte i rremë

Mëngjesin e sotëm në shkollat fillore “Liria” dhe “Kirili dhe Metodi” të Tetovës ka pasur raportim për bomba të vendosura. Nxënësit dhe stafi janë evakuuar ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se bëhet fjalë për raportime të rreme, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se pas kontrolleve të nevojshme në lidhje me raportimet për bomba është konstatuar se bëhet fjalë për kallëzime të rreme.

“Menjëherë pas marrjes së kallëzimeve nga punonjësit e policisë janë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe më pas janë kryer kontrolle të detajuara nga ekipet e inspektimit antiterror dhe është konstatuar se këto ishin raportime të rreme”, informuan nga MPB.

Udhëheqësi i sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti deklaroi se paraprakisht si komunë kanë pasur kontakt me organet e rendit ku kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë shkollat që të reagojnë.

“Menjëherë i larguam nxënësit nga shkolla duke mos përhapur panik, nga ana e drejtorisë së shkollës është bërë një reagim shumë i mirë kinse bëhet dezinfektim i shkollës dhe fëmijët duhet të largohen nga objekti. Menjëherë lajmëruam organet e rendit dhe të njëjtit erdhën në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se ky është një lajm i rrejshëm”, tha Dauti.

Drejtoresha e Shkollës “Liria”, Mamudie Ameti tha se reagimi i parë ka qenë të mos bëjnë panik para nxënësve.

“I kemi mbledhur nxënësit, me qetësi i kemi nxjerrë jashtë. Për 5-6 minuta kanë dalë të gjithë nxënësit nga ambientet e shkollës. Meqë policia na jep të dhënë se nuk ka asgjë, do futemi në shkollë, meqë e kanë pa të arsyeshme se ne mund të hyjmë në ambientet e shkollës, sot më duk do futemi prej nesër do vazhdojmë”, tha Ameti.

Kreu i Komunës së Tetovës apeloi për ruajtje të qetësisë dhe të mos krijohet panik.

“Njëkohësisht njoftojmë se në shkollat tjera fillore si dhe shkollat e mesme nuk ka ndonjë paralajmërim të tillë dhe situata është në kontroll. Sektori i arsimit pranë komunës së Tetovës me sugjerim të organeve shtetërore të sigurisë ka shtuar kujdesin dhe mbikëqyrjen e shkollave dhe në vazhdimësi janë në komunikim me udhëheqësit e shkollave dhe organet e shtetit për sigurinë në vend”, shkroi Bilall Kasami.

Raporti i parë i rremë për bombë të vendosur ka ndodhur më 26 tetor, çka rezultoi në boshatisjen e pesë shkollave të mesme të Shkupit. Që atëherë, raportet janë dërguar rregullisht, ndërsa raportime përveç shkollave janë dërguar edhe në adresat elektronike në aeroportin e Shkupit, ndërtesat e banimit dhe qendrat tregtare. Shumica e raporteve dërgohen në Shkup. Të gjitha raportimet u gjetën të rreme.

MPB deri më tani ka bërë padi penale ndaj dy të miturve, të cilët kanë përdorur kërcënimet hibride për të bërë alarm të rremë, ky rast i referohet vetëm dy prej dhjetëra kërcënimeve të rreme me bombë. Për pjesën tjetër të kërcënimeve, që cilësohen si sulm hibrid ndaj shtetit, autori apo autorët ende nuk janë zbuluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button