ANALIZË: Tatimet dhe taksat për mjedisin jetësor – si janë mbledhur nga qytetarët dhe kompanitë dhe ku kanë përfunduar paratë?

Ndërmarrjet publike arkëtojnë para për ujin mirëpo nuk kanë leje për menaxhimin e ujit. Qytetarët dhe kompanitë kanë paguar për regjistrimin e automjeteve, por nuk dihet nëse shumat e vërteta të tatimeve janë paguar në llogarinë e Ministrisë së Mjedisit Jetësor. Raporti i revizionit, i cili i shqyrton tatimet për mjedisin jetësor në funksion të politikave për mbrojtjes e mjedisit jetësor, nxjerr në pah një sërë lëshimesh dhe dobësish, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Taksat për regjistrimin e automjeteve…

Qytetarët dhe kompanitë kanë paguar për regjistrimin e automjeteve, gjegjësisht për kontrollin teknik, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor nuk ka pasur qasje nëse taksat që janë paguar nga subjektet për shqyrtimin teknik në llogarinë e ministrisë janë llogaritur saktë. Revizorët vënë në dukje vërejtje serioze në këtë segment, pavarësisht se me ndryshimet ligjore kompanitë për regjistrimin të automjeteve janë obliguar që më së voni deri më datën 15 të muajit të dorëzojnë një raport për numrin dhe llojin e automjeteve që janë regjistruar, si dhe shumën e parave janë paguar. Por, duke qenë se Ministria e Mjedisit Jetësor nuk ka vendosur bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme për t’i krahasuar të dhënat, mbetet dyshimi për vërtetësinë e të dhënave për automjetet.

“Sistemi i krijuar në këtë mënyrë nuk jep siguri për plotësinë dhe saktësinë e të dhënave dhe mjetet e paguara mbi këtë bazë”- pohojnë revizorët.

Ndërmarrjet publike arkëtojnë para për ujin, mirëpo nuk kanë leje për menaxhimin e ujit…

Janë identifikuar lëshime të mëdha te Ndërmarrjet Publike Komunale të cilët menaxhojnë me ujin – edhe pse nuk i kanë pasur lejet e nevojshme, ata kanë arkëtuar para për këtë shërbim nga përdoruesit – qytetarët dhe kompanitë. Revizorët theksojnë se nga 34 komuna të anketuara, në 11 prej tyre ndërmarrjet publike nuk kanë pasur leje për shfrytëzimin e ujit, ose janë refuzuar për shkak të dokumentacionit jo të plotë ose nuk kanë aplikuar fare për leje, që do të thotë se çdo e treta NP ka punuar në kundërshtim me ligjet dhe dispozitat.

“Kjo situatë me një numër të madh kërkesash të refuzuara krijon rrezik për shfrytëzimin e ujit pa pasur leje për këtë dhe pa paguar kompensim për shfrytëzimin. Edhe pse nuk kanë licencë për të menaxhuar burimin ujor, ndërmarrjet publike komunale e faturojnë shërbimin për ujin që e kapin dhe e shpërndajnë, gjegjësisht e lëshojnë dhe e ndotin mjedisin jetësor”.

Nga viti 2020 deri në momentin e revizionit, totali i borxhit në bazë të kompensimeve të papaguara për ujë ka arritur në 1.600.000 euro, nga të cilat 200.000 euro janë mbledhur këtë vit, duke lënë një borxh prej 1.400.000 eurosh të tjera. Përkundër faktit se borxhlinjtë vazhdimisht janë paralajmëruar që t’i paguajnë taksat – arkëtimi shkon ngadalë.

Katastrofale janë edhe të dhënat për menaxhimin “pa përgjegjësi” të ujit – ajo që konsumohet dhe nuk paguhet dhe ajo që “humbet” për shkak të defekteve, lidhjeve “në të zezë”.

“Në nivel shtetëror, përqindja e ujit që nuk paguhet në vitin 2021 është 60,46% dhe është dukshëm më e lartë krahasuar me nivelin mesatar në vendet e BE-së, ku është 30%”.

Lejet e integruara ekologjike janë lëshuar por nuk janë mbledhur taksat për këtë… 

Buxhet i dëmtuar – kjo është pasojë e arkëtimit jo në kohë ose mosarkëtimit fare të taksës për Lejen e integruar ekologjike. Kompanitë në vend kanë marrë një leje të tillë, por e kanë paguar me vonesë ose aspak. Deri në fund të vitit 2021 është regjistruar një borxh prej 153 mijë eurosh dhe një gjë edhe më problematik – është fshirë borxhi për shkak të lejeve të papaguara shtetërore në vlerë prej afro 500 mijë eurosh.

“51% e kërkesave për pagesë janë më të vjetra se viti 2019, ndërsa 49% janë nga periudha e përfshirë me revizionin, gjegjësisht 2019-2021”.

Në vitin 2019, gjysmë milioni euro u fshinë në bazë të borxhit të dy kompanive që përfunduan në falimentim – në rastin e njërës, kërkesat për pagesë të borxhit nga Ministria e Mjedisit Jetësor nuk u njohën fare si ekzistuese gjatë procedurës së falimentimit sepse ministria “nuk arriti” të paraqiste prova se i kishte dërguar aktvendimet për faturim. Revizorët vënë në dukje mënyrën se si trajtohet mbledhja e shumave që i kanë borxh kompanitë.

“Revizionit nuk i janë dhënë prova për paditje me kohë dhe të plotë, gjegjësisht për fillimin e procedurave për arkëtimin e detyrueshëm të të gjithë borxhlinjve që nuk e kanë paguar taksën për posedimin e lejes së integruar ekologjike brenda afatit të rregullt. Kjo situatë tregon për një sistem joadekuat të krijuar për regjistrimin dhe arkëtimin e taksave për posedimin e lejes së integruar A ekologjike, e me këtë edhe për arkëtimin jo në kohë dhe jo të plotë të tyre, që është arsyeja për më pak të ardhura të realizuara në llogarinë e Ministrisë” – thonë revizorët.

Në fund ata theksojnë se nuk ka një qasje të integruar në zgjidhjen e problemeve me mjedisin jetësor dhe se parimi “ndotësi paguan” nuk respektohet”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button