Drejtori i EMV: Sivjet prodhimi i EMV-së u rrit për 27 për qind, vitin e ardhshëm pritet rritje prej 20 për qind

Në kushtet e krizës, vështirësisë së punës dhe mungesës së energjisë, EMV-ja e rriti prodhimin për 27 për qind, ndërsa në vitin 2023 është planifikuar rritje e prodhimit edhe për 20 për qind në krahasim me këtë vit, tha drejtori i përgjithshëm i SHA EMV-ve, Vasko Kovaçevski, në mbledhjen e sotme me kompanitë anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Edhe pse ligji për vitin 2022 ka paraparë që të sigurojmë 60 për qind të energjisë elektrike, megjithatë sipas rekomandimit të Qeverisë sigurojmë 100 për qind dhe sigurojmë energji për humbjet e “Elektrodistribucija” dhe MEPSO, për shkollat, ndërmarrjet publike dhe industrinë ushqimore si dhe institucionet tjera vitale në shtet”, tha Kovaçevski.

Ai informoi për gjendjen me prodhimin vendor të energjisë elektrike dhe se EMV-ja i furnizon qytetarët dhe konsumatorët e vegjël, gjegjësisht tregun e rregulluar tërësisht me prodhimin e vet.

Kovaçevski bëri të ditur se në këtë moment janë duke punuar të gjitha objektet në vend, përveç bllokut 3 të REK “Manastir”, i cili do të vihet në përdorim për rreth 10 ditë.

“Në të njëjtën kohë me kapacitet të plotë do të operojnë tre blloqe në REK “Manastir”, REK “Osllomej”, TEK “Negotinë” dhe termocentrali i gazit “Energetica-Kogel” me kapacitet të plotë, gjegjësisht gjithçka është futur në përdorim në kushte krize”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, duhet gjetur një mënyrë për të siguruar burime shtesë për të siguruar energji shtesë për ekonominë, gjegjësisht për të ndihmuar me uljen e çmimit të energjisë elektrike, duke qenë se kriza do të jetë prezente edhe vitin e ardhshëm dhe askush nuk mund ta dijë se kur do të përfundojë, dhe shteti duhet të jetë gati.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button