Kasami shpresat i ka te Hajrullahi për padinë ndaj Arifit, pasi ajo e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e refuzoi

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami shpresat i ka te prokurori i ri i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, pasi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK) e Maqedonisë së Veriut nuk do të hetojë padinë e ngritur nga Komuna e Tetovës kundër ish-kryetares Teuta Arifi për kontratat në vepër të realizuara kur ajo ishte në krye të komunës. Prokuroria Publike as nuk jep detaje se si do të veprohet më tutje me lëndën e dorëzuar nga Kasami, shkruan Portalb.mk.

Kasami, i pyetur nga Portalb.mk se në çfarë faze është rasti me padinë e ngritur ish kryetares Arifi tha se shpresat i ka te prokurori i ri i Prokurorisë së Lartë.

“Nuk kemi ende përgjigje. Besojmë se Prokuroria e Lartë, tani me prokuror të ri nuk do të përsërisë dhe nuk do të veprojë si në rastin e parë të Prokurorisë (për ndjekje të krimit dhe korrupsionit) kur erdhi në krye kuadër i ri dhe e refuzoi. Besojmë që prokurori i ri i sapo-zgjedhur në prokurorinë e Lartë do të merr parasysh argumentet e Komunës së Tetovës dhe përfundimisht të ngre padi”, tha Kasami.

Dje (23 dhjetor) shefi i deritanishëm i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, Mustafa Hajrullahi njëzëri u ri- zgjodh në këtë detyrë për një mandat të ri katërvjeçar. Në kuadër të kësaj Prokurorie ndodhet Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pyetëm sërish Prokurorinë Publike se a është vendosur ku do të vazhdojë ky rast pas hedhjes poshtë nga Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por nga atje nuk u përgjigjën.

Çfarë ka ndodhur?

Pas ardhjes në krye të Komunës së Tetovës, Kasami me 8 shkurt të këtij viti publikoi listën e kontratave në vepër për vitin 2021 të paguara nga buxheti komunal me nënshkrim të ish-kryetares Arifi. Ai tha se pagesat e tilla janë joligjore dhe se kishte dorëzuar padi në prokurori për keqpërdorim të fondeve të komunës.

Disa muaj më pas, kjo padi siç deklaroi ai, u pasua me përgjigje negative.

Kasami tha se Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e ka mbajtur në sirtar padinë dhe vetëm disa javë pasi në krye të kësaj prokurorie erdhi Islam Abazi kjo u refuzua. Kasami akuzoi se kjo është bërë në baza politike dhe se “rezultati i prokurorit nga Zajazi doli”.

Sipas tij, “arsyetimi është absurd, antiligjor, se nuk janë mjete buxhetore por janë mjete të komunës, sikur mjetet e komunës nuk janë mjete të qytetarëve, për ne është vendim politik”.

Arsyetimi i Prokurorisë për rastin:

“Lënda për të cilën tregoni interesim në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike Tetovë. Pas studimit të rastit, prokurori kompetent ka dorëzuar kërkesë në Komunën e Tetovës për të vërtetuar nëse dëmi ka ndodhur në buxhetin e Komunës së Tetovës apo në buxhetin e Republikës së Maqedonisë.

Në bazë të përgjigjes së marrë është konstatuar se bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të komunës, ku Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka kompetencë për të vepruar.

Në atë drejtim, prokurori në fjalë e ka hedhur poshtë kallëzimin penal për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, dhe atë për paragrafin 5 të nenit 353, e cila ka të bëjë me procedurën për prokurimet publike ose dëmtimin e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjetet tjera të shtetit.

Komuna e Tetovës është njoftuar se cila pjesë e kallëzimit penal është refuzuar dhe komuna si parashtrues ka të drejtë ankese në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, të cilën e ka shfrytëzuar dhe ka paraqitur ankesë.

Për pjesën tjetër të krimeve të raportuara, prokurori ka konflikt juridiksioni dhe aktualisht pritet vendimi për kthimin e lëndës në Prokurorinë Themelore Publike – Tetovë si prokurori në juridiksionin e së cilës trajtohen lëndët që kanë të bëjnë me dëmtimin e buxheti komunal.” kumtuan nga Prokuroria me 13 dhjetor për Portalb.mk.

Komuna e Tetovës është ankuar ndaj këtij vendimi. Ndërsa dje Poralb.mk përsëri u drejtua në Prokurori se a është marrë vendimi se ku do të trajtohet ky rast, nga Prokuroria nuk u përgjigjën.

Juristi Kurtishi: Arsyetimi i Prokurorisë se nuk ka kompetencë për të vepruar është absurd

Juristi Emir Kurtishi në një bisedë për Portalb.mk thotë se në esencë absurde është arsyetimi i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ku konstaton se bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të komunës, por nuk ka kompetencë për të vepruar.

“Pse e mohon këtë nuk i di arsyet. Mirëpo, mbi bazën e nenit 32, paragrafi 1, alineja 3 e Ligjit për Prokurorinë Themelore Publike, mes tjerash theksohet se Prokuroria themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është kompetente në shkallë të parë që të veprojë edhe për nenin 353 paragrafi 5. E qartë që shprehimisht në Kodin Penal nuk përmendet si buxheti i komunës, por thuhet mjete nga Buxheti i Republikës dhe mjete të tjera të shtetit, që nënkuptohet se këtu futet edhe buxheti komunal, sepse nuk mundet që ajo si e tillë të mos jetë e paraparë nga ligjvënësi dhe kjo të paraqet zbrazëtirë juridike dhe keqpërdorimi i saj të mos dënohet. Nëse kjo prokurori nuk është kompetente për të vepruar atëherë cila prokurori është?”, vlerësoi Kurtishi.

Ndër të tjera ai theksoi se nuk mund t’i shmanget një çështjeje Prokuroria për të cilën ligji e detyron. Ndërkaq sipas tij këto raste e rritin edhe më shumë skepticizmin dhe mosbesimin e qytetarët ndaj organeve të drejtësisë. Megjithatë sipas tij kjo çështje mbetet të shihet si do përfundojë për t’i dhënë vlerësim.

Përndryshe, për këtë rast Kasami njoftoi se kanë informuar ambasadat, konkretisht atë të SHBA-ve.

Kur jemi te SHBA-të, ambasadorja e sapo emëruar në vend, Angela Aggeler kishte kritika të ashpra për zgjedhjen e Islam Abazit si shef të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ndër të tjera, Uashingtoni dërgoi një ekip në Maqedoninë e Veriut për vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, funksionarëve aktualë dhe të kaluar.

Lufta kundër korrupsionit në periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave të forta nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ka reaguar edhe ambasadori evropian David Geer, ambasadorja gjermane Anke Holstein si dhe të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button