Zyrtare: Martin Kavdanski i bashkohet Shkëndijës

Mbrojtësi bullgar Martin Nikolaev Kavdanski është goditja e radhës e Shkëndijës, në tentimin për të përforcuar skuadrën para paraqitjeve në kualifikimet për Liga Evropa si dhe sezonin e ri në kampionatin vendor. Bëhet fjalë për futbollist 27 vjeçar, që luan si mbrojtës qendror, ndërsa ka përvojë të madhe në kampionatin elitar në Bullgari dhe dy sezone në Francë. Ai vjen nga radhët e Çernomoretsit, është futbollist që rrjedh nga shkolla e futbollit të Levskit të Sofjes, ndërsa paraprakisht ka luajtur edhe për Lokomotiv Plodliv, Lokomotiv Mezdra, Slavi Sofie dhe dy sezone për ekipin e të rinjve të skuadrës franceze, Metz, për të cilët ka regjistruar 27 paraqitje. Në të kaluarën ka qenë pjesë e kombëtareve të reja të Bullgarisë, ndërsa për U 21 ka luajtur 12-të ndeshje. Edhe pse kishte disa skuadra që kërkonin shërbimet e Kavdanskit, mes të cilave edhe ekipe elitare nga Maqedonia, ai vendos të pranojë ofertën e Shkëndijës dhe firmos kontratë profesionale me ‘kuqezinjtë’.

“Jam shumë i kënaqur që firmosa me Shkëndijën e Tetovës dhe që do jemë pjesë e një projekti të madh që drejtuesit po e ndërtojnë. Dua që të falënderoj gjithë drejtuesit e klubit për besimin e dhënë dhe unë do të jap gjithçka nga vetja për këtë klub dhe për këta tifozë, sepse kam ndjekur një ndeshje kundër Renovës. Mendoj se kemi tifozët më të mirë në Maqedoni dhe do të japim gjithçka nga vetja për t’i gëzuar me shumë fitore”,deklaroi menjëherë pas nënshkrimit së kontratës mbrojtësi i ri i Shkëndijës, Martin Kavdanski.

Kavdanski bëhet futbollisti i dytë bullgar që do luajë në Shkëndijë, pasi nga janari i 2014 shtyllë e mbrojtjes është Jordan Miliev. Martin Kavdanski bëhet përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht skuadrës i’u bashkua Sedat Berisha. Ndërkohë të premten u prezantua edhe shefi i ri i stafit teknik Roy Ferençina.

Lajme të ngjashme

Back to top button