S’është fajtor Burgu i Strugës që s’e ka sjellë Mijallkovin dje në gjykatë, thonë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve

Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve sot e ka zbatuar kontrollin të cilin e ka paralajmëruar paraprakisht në Shtëpinë Ndëshkuese Korrektuese të tipit të hapur në Strugë me qëllim që të kontrollohen rrethanat se pse Sasho Mijallkov gjatë ditës së djeshme nuk u dërgua në Gjykatën Penale të Shkupit për të marrë pjesë në seancë gjyqësore për rastin “Titanik 2”, njofton Portalb.mk.

Në lidhje me gabimin e Gjykatës Penale për datën e seancës, gjegjësisht në vend 22 dhjetorit, në ftesë është shkruar 12 dhjetori, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve vlerëson se për këtë Burgu i Strugës nuk ka faj.

“Duke pasur parasysh se Burgu i Strugës paraprakisht ka vepruar si duhet për të gjitha kërkesat gjyqësore dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për veprim të gabuar, por për gabim të shërbimeve gjyqësore, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve vlerëson se nuk ekziston përgjegjësi te ndonjë prej të punësuarve në Burgun e Strugës”, thuhet në kumtesë.

Ata njoftojnë se kanë biseduar edhe me personin Sasho Mijallkov për situatën e krijuar.

“Përgjegjësit sot janë njoftuar nëpërmjet postës elektronike për seancën e radhës gjyqësore për më 26.12.2022 dhe dërgimi i tij tanimë është planifikuar”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë për Zbatim të Sanksioneve.

Mijalkovit i i vjetërsohet lënda në mars ose prill. Ai do të shpallet i pafajshëm nga ndjekja penale, ndërsa të pandehurit e tjerë të rastit jo.

Më 8 mars 2019, Gjykata Penale për këtë rast dënoi ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov me tre vjet burgim dhe kreun e PDSH-së, Menduh Thaçin, me 3 vjet e 2 muaj. Bedredin Ibraimi u dënua me 4 vjet e 6 muaj, Vlatko Sajkovski 3 vjet, Sasho Sërcev me 3 vjet dhe Elizabeta Stefanovska po ashtu 3 vjet burg.

Thaci, Ibraimi, Sajkovski, Sërcev dhe Stefanovska u dënuan për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, ndërsa Thaçi u dënua edhe për nxitje.

Mijalkov u dënua për marrjen e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, vepër kjo që u ngarkohej njerëzve në pozita të fuqishme, në këtë rast si drejtor i atëhershëm i DSK-së, të cilët kërkojnë apo urdhërojnë zyrtarë dhe persona të tjerë të kryejnë vepra penale.

Sipas aktakuzës së PThP-së, Mijalkov përmes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi ka urdhëruar bashkë-partiakun e tij nga KSHZ-ja Bedredin Ibraimi të votojë për anulimin e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumicë, në favor të Vasil Pishev nga VMRO-ja në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar komune Zoran Zaev.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button