Policia: Një 17-vjeçare e ka pranuar vrasjen e 16-vjeçarit, trupi i të cilit u gjet në lumin “Shkumbin”

Një 17-vjeçare e dyshuar ka pranuar se ka vrarë 16-vjeçarin, trupi i të cilit u gjet dje pa shenja jete në lumin “Shkumbin” afër Banjës së Tetovës. Këtë e konfirmuan nga Policia e Tetovës. Vajza është dërguar në burgun e Shkupit në paraburgim. Prokuroria njoftoi se ka  dorëzuar kërkesë në gjykatë për fillimin e procedurës përgatitore kundër vajzës së mitur për vepër penale vrasje, shkruan Portalb.mk.

“Më datë 22.12.2022 në ora 14:00, në SPB Tetovë është zhvilluar intervistë zyrtare me një të mitur 17 vjeçare nga Rogla e Tetovës. Ajo dyshohet se ka sulmuar me send të fortë të miturin 16-vjeçar. Po ashtu në lidhje me ngjarjen në prani të prindit, përfaqësuesit nga Qendra për Çështje Sociale, avokatit dhe personit mjekësor është zhvilluar bisedë me një të mitur tjetër 17 vjeçar nga Tetova”, informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Vajza e mitur është ndaluar në komisariat, ndërsa i mituri është lënë i lirë.

“Pas dokumentimit të rastit nga gjyqtari në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore të Tetovës, të miturës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh dhe është dërguar në burgun e Shkupi për vuajtje të masës së paraburgimit”, tha Rexhepi.

Nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë njoftuan se në gjykatën kompetente ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore kundër personit i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes nga neni 123 paragrafi 1 i Kodit Penal.

“Vajza e dyshuar 17-vjeçare i ka marrë qëllimisht jetën një djali 16-vjeçar. Pas një debati verbal në makinë në afërsi të vendit të quajtur “Banjiçe”, ajo e ka goditur disa herë me mjet të mprehtë në kokë viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën. Më pas ajo e ka hedhur në lumin Shkumbin dhe personi është gjetur i vdekur në lum. Prokurori publik kompetent ka dorëzuar në Gjykatë propozim për caktimin e masës së paraburgimit”, thanë nga Prokuroria.

Nga ana tjetër, Ibraim Bajrami – avokati mbrojtës i vajzës së mitur mbrëmë vonë ka deklaruar se çështja është në procedurë para-hetimore dhe si e tillë për shkak të zbardhjes sa më korrekte të rastit, është mirë që në këtë fazë të procedurës të lihen organet kompetente të bëjnë detyrën e vetë.

“Personi që unë mora përsipër ta përfaqësoj nga sonte dhe ditët në vijim, do të jetë nën mbikëqyrje të personelit profesional – mjekësor për të vërtetuar gjendjen e saj psiko – fizike, që është shumë e rëndësishme për të vërtetuar gjendjen faktike në të ardhmen në lidhje me rastin shumë tragjik që ka ndodhur”, deklaroi Bajrami.

Ai theksoi se kjo padyshim, në të ardhmen do të tregojë “sa kemi nevojë të merremi me fëmijët tanë, që kanë një rrugëtim nga shkolla e mesme, shtëpia, nga vendi social ku ata gravitojnë dhe sa është probabiliteti i mundësisë që ata të jenë viktima të kërcënimeve dhe shantazheve dhe kështu me radhë. Shoqëria do duhet të merret më shumë me këtë problematikë”.

Përndryshe, mëngjesin e djeshëm (22 dhjetor) trupi i pajetë i gjashtëmbëdhjetë vjeçarit u gjet në ujërat e lumit “Shkumbin” në Tetovë, afër Banjës së qytetit, i njëjti një ditë përpara ishte raportuar si i zhdukur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button