Viktor Dimovski mund të mos shkojë si ambasador pas kritikave nga vendet me ndikim për rastin e “Onishçenkos”

Pas skandalit me dhënien e nënshtetësisë Oleksandr Onishchenkos, për të cilin u pajtua edhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), ish-drejtori i këtij institucioni, Viktor Dimovski, mund të mos shkojë si ambasador në Francë. Sipas deklaratës së presidentit Stevo Pendarovski në paraqitjen e sonte në televizionin Kanal 5, kjo çështje ka nisur edhe në kuadër të kritikave të drejtuara nga vendet me ndikim të NATO-s dhe aleatët strategjikë të vendit, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Pak muaj para se të shpërthejë skandali me rastin “Onishçenko”, për Dimovskin është marrë agrementi nga Franca, por procedura ende nuk ka përfunduar, gjegjësisht Pendarovski nuk ka marrë njoftim nga Qeveria që të lëshojë urdhër për të shkuar.

Pendarovski në ditët e ardhshme, për një javë ose dy do të ketë konsultime me Qeverinë për 10-15 pozita ambasadorësh që janë dhe në këtë kuadër do ta hapin edhe çështjen e Dimovskit.

“Procedura për emërimin e ambasadorit fillon përmes Qeverisë, e cila më propozon dhe jap pëlqimin tim fillestar. Unë them “Jam dakord me propozimin, ju mund të vazhdoni procedurën”. Kanë përgatitje të mëtejshme, kërkohet agrementi nga shteti ku duhet të shkojnë. Në fund, kur të ketë mbaruar gjithçka, Qeveria më shkruan sërish përmes Ministrisë së Jashtme dhe më thotë se “gjithçka ka mbaruar, tani duhet ta dërgoni”. Diçka e tillë, një letër e dytë në të cilën qeveria thotë se gjithçka është në rregull dhe ju lutem firmosni një dekret, qeveria nuk ma ka dorëzuar sepse nga kontaktet e mia me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm më kanë thënë se në dritën e kritikave që kemi marrë nga disa vende anëtare me ndikim dhe partnerët tanë strategjikë, para së gjithash e kam fjalën për SHBA-në, se duhet të shqyrtojmë nëse duhet të qëndrojmë me këtë zgjidhje apo nëse do të hyjnë në lojë disa opsione të tjera”, tha Pendarovski.

Pas një deklarate të tillë të presidentit, VMRO-DPMNE-ja opozitare ka dalë me deklaratë se edhe Pendarovski ka pranuar se vendet aleate kanë kërkuar që Viktor Dimovski të mos jetë ambasador.

“Pendarovski pranoi se vendet me ndikim, aleatët tanë, e kritikuan Qeverinë, që Viktor Dimovski të mos shkojë si ambasador në Francë, siç dëshiron Kovaçevski. Problemi me Viktor Dimovskin është për shkak të rastit të Onishçenkos. Pendarovski po ashtu ka pranuar se Kovaçevski ka bërë gabim duke emëruar Zharko Milloshevskin drejtor të ASK-së, sepse ai, sikurse Viktor Dimovski, është pjesë e skandalit me Onishçenkon”, thonë nga VMRODPMNE.

Përveç VMRO-DPMNE-së, e cila në disa raste deri më tani publikisht kundërshtoi dërgimin e Dimovskit për ambasador, kundër saj është ka dalë edhe Aleanca për Shqiptarët .

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, fundjavën e kaluar në një konferencë për media njoftoi se pret të ketë konsultime me presidentin Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ai tha se nuk do të presë raportin e hetimeve për rastin “Onishçenko”, sepse ajo që duhet bërë është një vendim politik.

Kujtojmë që Viktor Dimovski nuk është më drejtor i Agjencisë për siguri kombëtare (ASK) pasi siç deklaroi kryeministri, ai duhet të jetë ambasador i vendit në Paris.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me 6 dhjetor vendosi të anulohet vendimi për pranimin e Oleksandër Onishçenkos në shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ish drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Viktor Dimovski, ka pranuar se gjatë dhënies së mendimit pozititiv për dhënien e shtetësisë oligarkut kundërthënës ukrainas, Oleksandr Onyshenko, janë bërë “lëshime të sigurisë”

Oligarku ukrainas, Oleksandr Onyshenko, ishte deputet në Parlamentin e Ukrainës në vitin 2012 nga Partia e Rajoneve të ish-presidentit pro-rus Viktor Janukoviq. Pas ndërrimit të qeverisë në vitin 2014, ai u bë partner biznesi me presidentin e ri, Petro Poroshenko, deri në vitin 2016, kur Komisioni ukrainas kundër korrupsionit hapi lëndë kundër tij. Më pas ai u arratis në Spanjë. Autoritetet spanjolle kishin vendosur ekstradimin e tij bazuar në fletarrestin ndërkombëtar nga Kievi, por Onyshenko arriti të ekstradohet në Gjermani. Ky shtet në vitin 2020 ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për ekstradim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button