Në grupin problematik të Kosovës i doli punë edhe Xhakës e Shaqirit

Prej kur është hedhur shorti është ditur se Grupi I i kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian të futbollit do të jetë problematik. Në këtë grup janë përfaqësueset e dy shteteve që nuk e njohin Kosovë, Rumania dhe Bjellorusia. Zvicra, Izraeli, Kosova e Andorra janë përfaqësueset e tjera, raporton Koha.net.

Menjëherë pas shortit një politikan në Rumani kërkoi që Rumania të mos luajë ndaj Kosovës për arsye se nuk e njeh këtë shtet. Është raportuar gjerë e gjatë për atë deklaratë, ndërsa Federata rumune u detyrua të dalë me arsyetim që ndeshjet do të luhen si me çdo përfaqësuese tjetër.

Sikur raportet e Kosovës me Rumaninë dhe Bjellorusisë të mos mjaftonin, UEFA e dënoi Bjellorusinë që ndeshjet si vendëse t’i luajë në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve. Kjo solli komplikime të tjera. Dhe tashmë është përfshirë edhe Zvicra, përkatësisht futbollistët shqiptarë të saj.

Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen me Zvicrën ta organizojë në stadiumin “Karagjorgje” në Novi-Sad të Serbisë. Ndeshja Bjellorusi – Zvicër luhet më 25 mars të vitit të ardhshëm dhe në sajtin zyrtar të UEFA-s tashmë janë paraqitur edhe vendi dhe stadiumi ku luhet ndeshja.

Media të ndryshme, kryesisht ato në Kroaci, e kanë vlerësuar absurd vendimin e UEFA-s që ndeshjen e Zvicrës ta organizojë në Serbi.

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri e kanë dërguar Serbinë në shtëpi në dy Botërorët e fundit. Dhe nuk është sekret që janë figura të urryera në mesin e serbëve. Ka pasur shumë tensione rreth dy futbollistëve të mëdhenj shqiptarë gjatë Botërorit në Rusi në vitin 2018 e po ashtu gjatë Botërorit në Katar, që përfundoi të dielën.

Shaqiri e Xhaka janë provokuar shumë nga futbollistë e huliganë serbë. Shaqiri shënoi një gol dhe nisi aksionet për dy golat e tjerë në fitoren 3:2. Xhaka pati përplasje të ashpra me lojtarët e Serbisë, u kap mes këmbësh në drejtim të tyre dhe veshi fanellën e Ardon Jasharit pas ndeshjes, që serbët e cilësuan si provokim.

Për këtë dhe shumë arsye të tjera vlerësohet absurde vendimi i UEFA-s që ndeshja Bjellorusi – Zvicër të luhet në Serbi, ndonëse pa shikues. Është pak e mundur që Shaqiri, Xhaka dhe potencialisht shqiptarët e tjerë të Zvicrës të kenë kohë të mirë në territorin e Serbisë.

“Pas rrahjeve dhe sharjeve, zviceranët ndaj Bjellorusisë prej të gjitha vendeve do të luajnë në Serbi”, ka shkruar mediumi i madh kroat, “Veçernji List”.

Bjellorusia më 19 qershor e pret Kosovën. Ajo ndeshje natyrisht nuk do të luhet në territorin e Serbisë, por UEFA nuk ka njoftuar ende se ku do të luhet. Për shkak të tensioneve politike, UEFA nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Rusinë. Por nuk ka ndaluar ndeshjet me Bjellorusinë, një tjetër vend që nuk e pranon Kosovën si shtet.

Federata e Futbollit e Zvicrës deri më tani nuk ka lëshuar ndonjë komunikatë lidhur me ndeshjen me Bjellorusinë. Nuk ka ndonjë deklaratë apo njoftim as nga Federata bjelloruse.

Bjellorusia edhe tri ndeshje të mëhershme të këtij viti, në qershor, i ka organizuar në Novi-Sad. Nuk përjashtohet mundësia që ndërkohë të ndërrohet vendimi për ndeshjen me Zvicrën. Por nëse mbetet vendimi që ndeshja të luhet në Novi-Sad, atëherë gjasat janë të mëdha për një sfidë të nxehtë dhe dramatike. Sfidat e tilla, sidomos ato me Serbinë, prej Shaqirit e Xhakës kanë nxjerrë më të mirën si futbollistë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button