Pendarovski: Dezinformatat nga shtetet dhe entitetet të cilat nuk na e mendojnë të mirën, i manipulojnë sistematikisht qytetarët

Presidenti Stevo Pendarovski një pjesë të madhe të fjalimit të tij vjetor para Kuvendit, ia kushtoi dezinformatave dhe pasojave të dëmshme që ato ua shkaktojnë shtetit dhe qytetarëve. Ai tha se pas hyrjes në NATO u bëmë pjesë e fushatave intensive dhe të organizuara propaganduese për dezinformim të opinionit në lidhje me çështjet dhe dilemat vitale, shkruan Vërtetëmatësi, transmeton Portalb.mk.

“Dezinformatat nga shtetet dhe entitetet të cilat nuk na e mendojnë të mirën, i manipulojnë sistematikisht qytetarët me dhënien e informacioneve të gabuara, të lajmeve gjysmë të vërteta apo tërësisht të fabrikuara që t’u shërbejnë interesave të qendrave të fuqisë, interesat e të cilave janë në kundërshtim me interesat tona nacionale”, theksoi Pendarovski në fjalimin e tij.

Ai në fjalim u përmbajt në dy shembujt më eklatant në lidhje me shpërndarjen e dezinformatave në Maqedoninë e Veriut – vaksinimit kundër COVID-19 dhe agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

“Vetëm dy shembuj në këtë kuptim janë mjaft indikativë: përkundrejt traditës së gjatë dhe solide nga ish-Jugosllavia, në fushën e imunizimit kundër kovid-19 nuk arritën as deri në 50% të popullatës, për të cilën, sipas disa analizave, pjesërisht janë të përgjegjshme dezinformatat për vaksinat në dispozicion. E gjithë kjo, për fat të keq, në fund na kushtoi shëndet dhe jetë. Ose dezinformatat në lidhje me luftën në Ukrainë që shtynë shumë bashkëqytetarë tanë ta argumentojnë agresionin, duke harruar përvojën tonë personale historike, kur ne, vetë, jo vetëm njëherë, kemi vuajtur nga fqinjët më të mëdhenj”, tha Pendarovski.

Sipas tij, retorika antiperëndimore në mediat tradicionale dhe sociale po intensifikohet dhe nëpërmjet saj, populistët i manipulojnë njerëzit se kanë zgjidhje të shpejta dhe të thjeshta edhe për problemet më të komplikuara të cilat, “gjoja, sistemet demokratike nuk mund t’i zbatojnë sepse janë të ngadalshme, të shtrenjta dhe të korruptuara”.

“Përforcimi i rezistencës ndaj dezinformatave është detyrë komplekse, sepse nevojitet edhe rezistencë sistematike edhe personale ndaj tyre, kurse kjo është e pamundur pa bashkëpunim të afërt me institucionet shtetërore, arsimin, organizatat qytetare dhe mediat”, vlerëson Pendarovski.

Sipas presidentit, është me rëndësi thelbësore që që në arsimin fillor dhe të mesëm të zhvillohet edukimi mediatik te të rinjtë të cilët do të mësojnë t’i dallojnë gënjeshtrat dhe të formojnë mendim në bazë të fakteve.

“Kështu do ta dallojnë më lehtë edhe demagogjinë e autokratëve se për zgjidhjen edhe të problemeve më të vështira duhet vetëm disiplinë dhe dorë e fortë. Në historinë e afërme edhe në rajon edhe në Evropë kemi mjaft shembuj tragjikë të popujve të cilët edhe sot e kësaj dite ballafaqohen me pasojat e shkatërrimit të cilin ua sollën vitet e entuziazmit kombëtar dhe besimi pa kushte te liderët e tillë”, vlerësoi Pendarovski.

Fjalimin e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button