Verdikti për “OKTA”: RMV-ja duhet të paguajë dëmshpërblim miliona

Gjykata e Arbitrazhit në Paris miratoi vendimin kundër Maqedonisë së Veriut për mosmarrëveshjen me Hellenic Petroleum. Vendi do të duhet të paguajë dëmshpërblim prej 21,478,800 euro, transmeton Portalb.mk nga Dojçe Vele (DW).

Gjykata e arbitrazhit në Paris vendosi kundër Maqedonisë së Veriut në mosmarrëveshjen në të cilën ish-kompania greke “Hellenic Petroleum” paditi shtetin, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e shitblerjes së rafinerisë OKTA, e lidhur në vitin 1999.

Vendimi ka mbërritur në Qeveri ditë më parë dhe tashmë janë duke u bërë analiza. Sipas bashkëpunëtorit për energjetikë në Qeveri, Viktor Andonov, me aktgjykimin e nxjerrë është përgjysmuar shuma e kompensimit të kërkuar nga kompania greke.

Kërkesa totale e dëmshpërblimit së bashku me kamatat për periudhën 2008-2011 kap vlerën 42.646.000 euro. Sipas aktgjykimit, kërkesa për dëmshpërblim e vendosur nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris është 50 për qind më e ulët se kërkesa fillestare, pra kërkesa për dëmshpërblim e vendosur nga Gjykata arrin në 21.478.800 euro.

“Ekipi ynë ligjor luftoi për përgjysmimin e shumës së kërkuar”, thotë Andonov

Bëhet fjalë për një proces në të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut është paditur nga “Elpet” nga Republika e Greqisë, lidhur me detyrimet nga marrëveshja e blerjes së rafinerisë OKTA për blerje vjetore të sasive minimale të naftës.

Ekipi juridik, i cili është i punësuar nga Qeveria – “Dehert” nga Franca, është duke e shqyrtuar dhe analizuar aktgjykimin. Pas përfundimit të këtij procesi, së bashku me Trupin Koordinues që është përgjegjës për procedurën e arbitrazhit, do t’i propozojnë Qeverisë hapat e duhur që duhet të ndërmerren në lidhje me publikimin e aktgjykimit.

“Kjo shumë mund t’i nënshtrohet rregullimeve ose negociatave të mëtejshme, siç u bë në vitin 2008, kur u arrit një marrëveshje zgjidhjeje. Shuma u zvogëlua për rreth 40 për qind me vendimin në Paris”, tha Andonov.

Maqedonia e Veriut u padit për mosrespektim të marrëveshjes për shitjen e OKTA-s, me të cilën Qeveria e Ljubço Georgievskit në vitin 1998 u zotua të blinte 500,000 tonë naftë në vit për 20 vitet e ardhshme. VMRO-Partia Popullore, lider i së cilës është ish-kryeministri Ljubço Georgievski, njoftoi se arsyeja e dënimit është ndërprerja e kontratës me kompaninë greke në mënyrë të njëanshme.

“Një vit para skadimit të monopolit pesëvjeçar, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut u deklarua kompetente për ndërprerjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe pse në të gjitha rastet e tjera të marrëveshjeve ndërkombëtare që Maqedonia ka lidhur është shpallur jokompetente. Në atë mënyrë, vetëm nga padurimi për të pritur edhe një vit të marrëveshjes që duhet të kalojë, Maqedonia e Veriut është vënë në një situatë jashtëzakonisht të pakëndshme”, reagoi partia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button