Serbët në veri të Kosovës paraqitën kushte për heqjen e barrikadave

Në veri të Kosovës, ku që nga data 10 dhjetor po mbahen të barrikaduara rrugët kryesore, pati një protestë, që sipas organizatorëve drejtohej kundër “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shkruan DW.

Disa mijëra serbë nga veriu i Kosovës, të tjerë të ardhur edhe nga pjesë të tjera të vendit, u mblodhën në një protestë në fshatin Rudare, të komunës së  Zveçanit në veri, duke protestuar “kundër kërcënimeve të   kryeministrit Albin Kurti”. Protesta ishte e qetë, dhe u vëzhgua nga afër nga forca të shtuara të policisë, KFOR-it dhe EULEX-it, dhe nga serbët.

Protesta u cilësua si “më e madhja e mbajtur ndonjëherë”. Ajo u organizua nga të ashtuquajturit “Shtab i krizave”, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të partisë politike Lista Srpska, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Kërkesat e protestuesve

Protestuesit kërkuan siç thanë “Lirimin e serbëve të arrestuar”, të tërhiqen  listat sekrete të Prishtinës që janë sipas tyre, “për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe “Prishtina zyrtare të tërheqë njësitë speciale të Policisë nga veriu i Kosovës”. Këto janë kushtet për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe.

“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim, vetëm pse jemi serbë”, tha Goran Rakiq. Vet Rakiq më herët  gjatë një video mesazhi duke thirrur serbët për protesta, tha se “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, planifikon të vrasë serbë në barrikada”, duke mos sjellur dëshmi, por, duke ju referuar një interviste të kryeministrit të Kosovës.  E ajo që Albin Kurti i tha gazetës britanike Guardian, është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.

Sveçla hedh poshtë pretendimet

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga ana e tij, i mohoi pretendimet se Policia e Kosovës ka lista, sipas së cilave arreston ish-policë të nacionalitetit serb.

“Lajmet e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb. Nuk ka lista të tilla. Ne nuk përpilojmë aso listash. Në Republikën tonë demokratike, prokuroria që ndjek krimin është degë tjetër e pushtetit prej policisë që zbaton ligjin e urdhrat dhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që është degë e ekzekutivit”, reagoi ministri Sveçla.

Vuçiq me videomesazh

Me një video mesazh protestuesve serb në veri të Kosovës, ju drejtua edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se serbët e Kosovës e kanë mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar dhe u bëri thirrje atyre të ruajnë paqen.

“Nuk do të fshihem nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit në botë. Do të jem gjithmonë i përgjegjshëm për t’iu bërë thirrje që të ruajnë paqen, sepse, paqja është në interesin më të mirë të serbëve dhe të Serbisë, si dhe të popullit tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Vuçiq ndër të tjera në video-adresimin për protestuesit në Rudare, ku ndodhet edhe njëra prej 13 barrikadave të ngritura në veri të Kosovës që nga data 10 dhjetor. Këto barrikada po pengojnë lirinë e lëvizjes dhe autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s dhe KFOR-it, që ta bindë komunitetin lokal serb që t’i zhbllokojë vetë rrugët. Kritika nga autoritetet e Serbisë kishte edhe për një deklaratë të ambasadorit gjerman në Kosovë Jorn Rohde, i cili tha se “shpreson që barrikadat në veri të hiqen deri për festat e krishtlindjeve”. Për këtë deklaratë, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ambasadorin Rohde e quajti “antiserb”, duke theksuar se “barrikadat hiqen atëherë kur Prishtina ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Reagon MPJ e Gjermanisë

Ministria e punëve të jashtme e Gjermanisë, është pyetur nga DW për situatën  e tensinuar në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit në raportet Kosovë-Serbi dhe përgjigja ishte kjo.

“Është thelbësore që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë pragmatike dhe konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE-ja.  Ne e mbështesim plotësisht të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Retorika nacionaliste që kemi dëgjuar nga Serbia javët e fundit është krejtësisht e papranueshme. Kjo vlen veçanërisht për propozimin për dërgimin e forcave serbe në Kosovë.  Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë që në agjendë të vihet Asociacioni Serb i Komunave, për të cilin është rënë dakord në vitin 2013 dhe 2015 dhe për të cilin Kosova është zotuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Që nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët kryesore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto dy pika kufitare tashmë po mbahen të mbyllura. Barrikadat u ngritën sipas serbëve të veriut pas arrestimit të një ish-polici serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button