RMV, nxënësit e shkollave të mesme krijuan zgjidhje inovative për prodhimin dhe kursimin e energjisë në shkollat ​​e tyre

Ekipet e nxënësve të shkollave të mesme nga Koçani, Kërçova, Manastiri, Kavadari dhe Radovishi, me mbështetjen e një mentori, zhvilluan zgjidhjet e tyre për problemet që lidhen me prodhimin dhe kursimin e energjisë në ngjarjen treditore “UPSHIFT Bootcamp”. Gjithsej 10 ekipe të shkollave të mesme morën pjesë në aktivitetin për zhvillimin dhe mbështetjen e inovacioneve sociale të lidhura me energjinë organizuar nga Shoqata e liderëve për arsim, aktivizëm dhe zhvillim (LEAD), pesë prej të cilave u shpallën fitues, transmeton Portalb.mk.

Nxënësit e gjimnazit “Ljupço Santov” nga Koçani si një nga ekipet fituese do të ndërtojnë 12 tuba ngrohjeje për ngrohjen e ajrit që harxhojnë 59 për qind më pak energji elektrike dhe me to do të ngrohen plotësisht gjashtë klasa në shkollë.

Shkolla e mesme “Mirko Mileski” nga Kërçova do të bëjë dhe vendos pllaka në korridorin e shkollës që do të prodhojë rrymë nga shkallët përmes induksionit magnetik, me çka do të kursehet energji elektrike prej 1.800 kilovat orë ose rreth 48.000 denarë në vit.

Ndër fituesit është edhe Shkolla shtetërore e muzikës – Manastir, e cila do të vendosë bateri për ruajtjen e energjisë elektrike që do të merret nga biçikletat elektrike dhe lentet e vrapit të instaluara në palestrën e shkollës, e cila pritet të kursejë në faturat mujore të energjisë elektrike rreth 30 për qind.

Nxënësit e shkollës së mesme “Qiro Spanxhov Bërko” nga Kavadari propozuan konstruimin e një akumulatori nga rëra për ruajtjen e energjisë së prodhuar nga teprica e paneleve fotovoltaike të shkollës. Këta akumulatorë do të përdoren për ngrohjen e plotë të punëtorisë së shkollës, me çka parashihet kursim vjetor prej 120.000 denarë.

Shkolla e Radovishit “Kosta Susinov” do të vendosë tri biçikleta me gjenerator të integruar për prodhimin e rrymës, ndërsa rryma e prodhuar do të përdoret për ngrohjen e sallës së shkollës, me çka do të kursehen 15.000 denarë në vit.

Ekipet fituese morën nga 120.000 denarë secili dhe mentorim tre mujor për zhvillimin e iniciativave sociale në komunitetet e tyre.

Programi “UPSHIFT” që synon nxënësit e shkollave të mesme që kanë një ide për të zgjidhur një sfidë apo problem në komunitetin e tyre zbatohet nga Shoqata e liderëve për arsim, aktivizëm dhe zhvillim (LEAD) me mbështetjen e UNICEF-it, Fondi për Inovacion dhe Zhvillimi Teknologjik (FIZhT) dhe Ambasada e Suedisë në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button