U gjet i pajetë gjashtëmbëdhjetë vjeçari në lumin Shkumbin të Tetovës

I pajetë është gjetur trupi i gjashtëmbëdhjetë vjeçarit në lumin Shkumbin të Tetovës afër Banjës së këtij qyteti, i cili dje u raportua si i zhdukur. Nuk dihen ende zyrtarisht shkaqet e vdekjes, shkruan Portalb.mk.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë mëngjesin e sotëm, rrugës për në vendin e quajtur “Banjiçe” në Tetovë, kanë gjetur trupin e pa jetë e të miturit nga Novo Sella- Komuna e Zhelinës, për të cilin babai i tij J. H. (46) ka raportuar se më datë 21.12.2022 rreth orës 16:00 është larguar nga shtëpia me veturën “Audi”.

Nga policia njoftuan se më herët, rreth orës 02.20, vetura është gjetur pranë një objekti hotelierik në vendin e quajtur “Banjiçe”.

“Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ekipit të Ndihmës së Shpejtë dhe me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Pas kësaj, nga Prokuroria njoftuan se Prokurori ka lëshuar edhe urdhër për obduksion të trupit të të ndjerit.

“Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të të ndjerit, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve dhe provave për të përcaktuar shkaqet e vdekjes”, thanë nga Prokuroria.

Nga ana tjetër, komandant i zjarrfikësve në Tetovë , Avni Ameti njoftoi se se trupi i pajetë në Banjën e Tetovës u gjet afërsisht 100 metra larg veturës. Kërkimet për të filluan që nga dita e djeshme, pasi familjarët e kishin raportuar si të zhdukur.

“Veturën e kemi gjetur në afërsi të Banjës së Tetovës, pas asaj kemi filluar kërkimet rreth lumit Shkumbin, në mëngjes policia e Tetovës bashkë me zjarrfikësit kanë bërë gjetjen e trupit, dmth pjesa ku ishte trupi i pajetë ishte një pjesë e vështirë, u desh të intervenohet me më shumë zjarrfikës”, deklaroi Ahmeti.

Shkaqet e vdekjes së të riut nuk dihen ende zyrtarisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button