Escobar: Partitë më nacionaliste janë më të korruptuara, RMV duhet të jetë shembull se si u përballë me paraqitjen e kandidaturës së saj në BE

Në kuadër të sfidave të fundit për Ballkanin Perëndimor dhe asaj që sjell viti i ardhshëm, zëvendësndihmës sekretari amerikan Gabriel Escobar foli në një intervistë për Këshillin Atlantik, të publikuar në fillim të dhjetorit. Në intervistë bëhej fjalë edhe për mendimet e tij se si partnerët transatlantikë mund ta ndihmojnë rajonin të kthehet në rrugën e duhur. Escobar, ndër të tjera, përmendi Maqedoninë e Veriut si shembull se si u përballë me paraqitjen e kandidaturës së saj në BE, transmeton Portalb.mk.

“Do të doja të shihja procesin e Evropës duke ecur më shpejt drejt Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrje më të madhe në infrastrukturën evropiane, ndoshta si vëzhgues, si kandidatë, por ne patjetër kemi nevojë për më shumë Evropë në rajon, dhe sigurisht, na duhet më shumë Amerikë në rajon”, tha zëvendësndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

I pyetur se sa optimist është për Maqedoninë e Veriut, Ekobar u përgjigj se është optimist në një masë të madhe, veçanërisht duke pasur parasysh se si Maqedonia e Veriut u përballë me kandidaturën e saj (BE) dhe se ajo ishte shembull për rajonin.

“Gjithmonë theksoj se në një rajon ku ka sfida, marrëdhënie ndër-etnike dhe shumë-etnike dhe qeverisje multietnike, Maqedonia e Veriut shquhet si një shembull shumë i mirë si shtet civil multietnik dhe shërben si shembull për vendet tjera që përballen me të njëjtat çështje”, tha zëvendës-ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka bërë të gjitha reformat e nevojshme “për të hapur derën e parë”.

“Besoj thellësisht se kjo Qeveri ka vullnet dhe se populli i Maqedonisë së Veriut ka kapacitet për të bërë atë që është e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së. Në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, ata janë një aleat i rëndësishëm, dhe kjo është ajo që pret Evropa prej tyre, të jenë një partner i mirë që do të kontribuojë edhe në BE”, shprehet i bindur Escobar.

Ai theksoi se partitë nacionaliste janë më të korruptuara dhe se korrupsioni është problemi më i madh për rajonin.

“Ju e dini se korrupsioni është problemi më i madh për rajonin, nacionalizmi dhe rivaliteti etnik është me të vërtetë vetëm një maskë për këtë. Është e qartë se partitë që janë më nacionalistët në rajon janë edhe më të korruptuara. Ky është një fakt. Nuk është vetëm qeveria amerikane që e thotë këtë, por edhe organizata të pavarura, si Transparency International dhe disa organizata nga sektori i shoqërisë civile evropiane, si dhe organizata vendase të shoqërisë civile” , tha Escobar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button