MASH për skandalin në UEJL, nuk tregon nëse do të shfuqizohen certifikatat dhe a ka universitete tjera që kanë lëshuar

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në lidhje me skandalin e shpërndarjes së certifikatave në UEJL, më shumë se dy javë pasi kemi dërguar pyetje, thotë se i ka ndërmarrë të gjitha masat pas kërkesës së Komisionit për Parandalim të Korrupsionit që të verifikojë se sa studentë për mbarimin e fakultetit trevjeçar juridik në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2012-të kanë marrë vërtetim 7/1 e cila jepet për mbarimin e studimeve katërvjeçare. Prej atje nuk tregojnë se çfarë masa do të ndërmerren për dhënien e këtyre certifikatave, kush është përgjegjës dhe a mund të shfuqizohen të njëjtat, shkruan Portalb.mk.

“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha masat në lidhje me rastin për të cilin pyesni. Në bazë të kërkesës së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Inspektorati i Arsimit disa herë ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Universitetin e Evropës Juglindore. Nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme, është bërë procesverbal dhe i njëjti është dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit”, thonë për Portalb.mk nga MASH duke shtuar se nëse ka kërkesë tjetër nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit ose nga ndonjë institucion tjetër kompetent, MASH dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të veprojnë ndaj të njëjtës.

Nga MASH, e rikonfirmojnë atë që e deklaruan edhe nga Antikorrupsioni se 449 studentë kanë marrë vërtetime apo certifikata VII/1 pas mbarimit të studimeve trevjeçare për jurist.

“Gjatë mbikëqyrjes, është konstatuar se nga ana e Universitetit të Evropës Juglindore – Fakulteti Juridik, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2012-të, janë lëshuar gjithsej 449 vërtetime gjatë së cilës të gjithë studentët kanë marrë vërtetim për mbarimin e studimeve në kohëzgjatje prej gjashtë semestrave në të cilën është theksuar se kanë marrë 180 kredi EKTS, është shkruar edhe mesatarja e studentit dhe se e merr shkallën VII/1 të thirrjes profesionale Jurist i diplomuar (baccalaureus)”, thonë nga MASH.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës , nuk u përgjigj në pyetjet e Portalbit për atë se:

  • Cili është përgjegjës që në vitet 2008-2012 UEJL ka lëshuar vërtetim të të tilla?
  • A janë bërë verifikime nëse edhe në universitetet tjera kjo ka ndodhur?
  • Çfarë masa do të merren dhe a mund të shfuqizohen vërtetimet e tilla VII/1 për mbarim të fakultetit me 180 kredi?

Për rastin në fjalë, nga UEJL paraprakisht kanë thënë se lëshimi i vërtetimeve apo certifikatave është bërë në përputhje me legjislacionin e kohës dhe se nuk bëhet fjalë për skemë keqpërdorimi.

Krejt kjo është bërë në mungesë të një akti rregullues, por gjithnjë në mbështetje të sistemit në fuqi të kualifikimeve”, u përgjigjën nga UEJL për Portalb.mk.

Skandali me certifikatat shpërtheu pasi që Barlet Xhaferi, djali i kryeparalamentarit Talat Xhaferi e ka kaluar provimin e jurispodencës para se të diplomojë, pavarësisht se sipas ligjit, kandidatët duhet të kenë së paku 300 kredi sipas sistemit të Bolonjës. Xhaferi i ka kryer studimet trevjeçare për jurist në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) dhe ka marrë vërtetim diplomimi VII/1, e cila jepet për mbarim të studimeve katërvjeçare. Por, ky s’ka qenë rasti i vetëm, ka pasur qindra të tillë.

Javorja “Fokus” shkruajti se Barlet Xhaferi, i cili së shpejti e mbaron Akademinë për Gjykatës dhe Prokurori dhe së shpejti do të bëhet gjykatës ose prokuror, e ka kaluar provimin e jurispodencës në kohën kur me Ministrinë ka udhëhequr Adnan Jashari nga BDI. Ndaj kësaj, Jashari reagoi, madje duke kërkuar që “Fokus” ta fshijë lajmin dhe të kërkojë falje. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e dënoi thirrjen e Jasharit për fshirje të tekstit.

Antikorrupsioni, në Ditën Botërore Kundër Korrupsionit theksoi se do të angazhojë Inspektoratin e Arsimit të kryejë kontrolle në qoftë se përveç UEJL-së, edhe universitetet tjera kanë dhënë vërtetime të tilla. Përveç kësaj, Shemsi Sallai nga Antikorrupsioni paralajmëroi se do të hetohet në qoftë se përveç kësaj, janë dhënë edhe diploma të falsifikuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button