Crossplag, nga identifikimi i plagjiaturës tek zbulimi i teksteve të shkruara nga inteligjenca artificiale

Për të trajtuar problemet që shfaqen si rezultat i keqpërdorimit të teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale në fushën e edukimit, në 2018-ën u lançua versioni i parë i teknologjisë së Crossplag për gjuhën shqipe. Sot Crossplag ka ndërtuar një arkivë me 100 miliardë shkrime duke mbështetur 100 kombinime gjuhësh të ndryshme të cilat mund të kontrollohen përmes teknologjisë së saj.

Ne fillimisht kemi lançuar sistemin e parë të identifikimin që mundëson zbulimin e plagjiaturës përmes përkthimeve pasi kemi vërejtur një tendencë nga studentët të përkthejnë artikuj dhe shkrime të ndryshme të cilat nuk identifikoheshin nga sistemet tradicionale anti-plagjiaturë,” tha Besart Kunushevci, themelues i Crossplag për PCWorld.al.

Crossplag ka ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit në OpenAI dhe modelin e tyre me inteligjencë artificiale ChatGPT.

Deri para pak javësh rreziku që të lançohej një mjet që mund të keqpërdorej nga studentët dukej si një zhvillim që mund të ndodhte në 1-2 vitet e ardhshme. Publikimi i modelit GPT3.5 dhe ChatGPT e bëri të qartë menjëherë se tashmë jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale mund të argumentojë, shkruajë ese apo punime të cilat duken identike me ato të shkruara nga njeriu,” tha Besarti.

Ai tha se ky zhvillim është padyshim pozitiv për njerëzimin dhe potenciali është i jashtëzakonshëm megjithatë rreziku vjen nga keqpërdorimi i saj duke cenuar integritetin akademik.

Paraprakisht ne ishim duke eksperimentuar me këtë teknologji dhe po analizonim qasjet e ndryshme për zgjidhjen këtij problemi,” tha Besarti. Me debutimin e ChatGPT, Crossplag përshpejtoi procesin e zhvillimit të një mjeti i cili bënte të mundur identifikimin e një teksti të shkruar nga inteligjenca artificiale.

Produkti AI Content Detector ofron një përqindje besueshmërie për një tekst të caktuar. Një përqindje e lartë do të thotë se teksti me shumë gjasa është shkruar nga inteligjenca artificiale ndërsa një përqindje e ulët do të thotë se një njeri mund ta ketë shkruar.

Aktualisht mjeti funksionon vetëm për gjuhën Angleze dhe çdo tekst në çdo gjuhë tjetër do të marrë një përgjigje sikur është shkruar nga një njeri. Rezultatet e analizës prezantohen në krye të faqes në vetëm pak sekonda me një indeks nga 0 deri në 100%.

Një përqindje mesatare mund të shfaqet në rastet kur një tekst mund të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe modifikuar e përshtatur nga një njeri.

Për të lançuar produktin AI Content Detector kemi përdorur modelin e para-trajnuar të bazuar në metodën RoBERTa duke përdorur të dhënat e publikuara nga Open AI dhe bazuar në përgjigjet e modelit GPT2 të vitit 2019,” tha Besarti.

Kjo na përshpejtoi procesin pasi ne e kishim të mundur të përdornim këtë model dhe ti shtonim shkrimet ekzistuese në arkivat e Crossplag.”

AI Content Detector u lançua më 19 Dhjetor dhe u bë i disponueshëm pa pagesë në mënyrë që të gjithë përdoruesit ta testonin për të kuptuar efikasitetin e tij. Mjeti u testua përballë një teksti gjeneruar nga ChatGPT dhe identifikoi me saktësi të lartë burimin e saj nga inteligjenca artificiale.

Në vetëm 48 orë kemi pranuar më shumë se 1 mijë përdorues të rinj të cilët kanë analizuar mbi 7 mijë tekste të ndryshme. Synimi ynë është të vërtetojmë që rezultatet që nxjerr modeli ynë janë të sakta dhe në nivele të kënaqshme në mënyrë që të përdoret për qëllime arsimore,” tha Besarti.

Një prej avantazheve të AI Content Detector është të qënurit produkt i Crossplag dhe inteligjenca artificiale zakonisht gjeneron tekst nga burime ekzistuese.

Në momentin që vërtetojmë saktësinë e rezultateve, modeli i AI Content Detector do të integrohet si analizë shtesë për të gjitha dokumentet të cilat ngarkohen në platformën tonë dhe të jetë e disponueshme për të gjithë klientët tanë institucional apo biznes,” u shpreh Besarti.

Crossplag dhe beteja e saj me plagjiaturën

Platforma e Crossplag është vlerësuar nga hulumtues të Rrjetit Evropian për Integritet Akademik (ENAI), një institucion i dedikuar aplikimit të integritetit akademik mes hulumtuesve dhe studentëve.

Aktualisht shërbimi vjen në formën e një aplikacioni uebi i cili mund të provohet nga të gjithë përdoruesit përmes një plani pa pagesë që ofron platforma.

Në varësi të teksteve që përdoruesit individual, institucione arsimore apo biznese kanë nevojë ti kontrollojnë për plagjiaturë, platforma ofron plane fleksibël me pagesë. Përdoruesit mund të ngarkojnë dokumente Word, PDF, Rich Text, Plain Text dhe PowerPoint për ti kontrolluar për plagjiaturë.

Crossplag u shpall startupi fitues i edicionit të dytë të akseleratorit rajonal të startupeve Uplift Western Balkans.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button