Qytetarët në Tetovë kërkuan kushte më të mira nga Komuna në debatin publik për propozim-buxhetin e vitit 2023

Formimi i këshillit komunal për parandalim të delikuencës së të miturve, përkrahja e qendrave që merren me gratë viktima të dhunës në familje. Parqe, gjelbërime, parkingje, organizime publike, rrugë, ujë për pije, janë vetëm disa nga kërkesat e qytetarëve të cilat i paraqitën përpara autoriteteve komunale sot gjatë debatit publik të organizuar për propozim-buxhetin e vitit 2023 të Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se propozimet e qytetarëve janë me vend dhe se do të shihen mundësitë që të përfshihen në buxhet.

“Si kornizë buxhetore e cila është përcaktuar nga Ministria e Financave e dimë se nuk ka ndonjë hapësirë të madhe të planifikimit të mirëfilltë konform nevojave të qytetarëve por sigurisht si pushtet lokal në kuadër të mjeteve të parapara vlerësojmë se kemi bërë shpërndarjen më të mirë”, tha Kasami.

Edhe këshilltarët komunal dhanë propozimet e tyre.

Veton Murati, këshilltar nga BDI:

“Ne sot jemi këtu të dëgjojmë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve ndërsa punën tonë do ta bëjmë në seancën e këshillit, aty ku do t’i prezantojmë vërejtjet tona dhe projektet që mendojmë se duhet të realizohen. Do votojmë çdo gjë në të mirë të qytetit dhe qytetarëve, do kritikojmë çdo parregullsi që mendojmë se është projektuar.”

Gligorije Stojanovski, këshilltar nga LSDM:

“Kemi propozime për propozim- buxhetin për vitin 2023. Rikonstruksioni i gjithë rrugës “132”, pajisje sportive në lagjen “Ajduçka”, muri rrethues i varrezave të qytetit në Falisht, të hapen më shumë vende pune për rastet sociale me një pjesë të buxhetit që të kenë punë dhe të ardhura të vazhdueshme.”

Angell Karapetrov, këshilltar nga VMRODPMNE:

“Zgjidhja e problemit të qenve endacakë do të jetë prioriteti ynë si grup këshilltarësh. Situata është alarmante dhe e dimë që kemi shumë sulme nga qentë . Më pas, prioriteti ynë do të jenë varrezat ortodokse në Falisht si pjesë e programit tonë që ua premtuam qytetarëve  Do të punohet për hapësira të reja parkimi dhe përfundimi i bulevardit “Bllagoja Toska”. Ne do të insistojmë që parcelat e lira nga ish-Qendra Sportive të bëhen park dhe zona të gjelbra.”

Besa Kadriu, këshilltare nga Lëvizja Besa:

“Potencoj për iniciativën për themelimin e komisionit të veçantë për mbrojtje sociale, gratë ose nënat e vetme vetushqyese. Në këtë drejtim besoj se në bashkëpunim me anëtarët e këshillit komunal do ti japim një rëndësi të veçantë kësaj kategorie që ka nevojë për mbështetje institucionale.”

Nga ana tjetër, edhe kryetari i këshillit komunal, Besar Durmishi theksoi se kërkesat e qytetarëve do të merren parasysh.

“Brenda kësaj jave në bashkëpunim me sektorin e financave do të shohim që kërkesat e qytetarëve të arrijmë që ti inkorporojmë. Shpresojmë që vitin që vjen realizueshmëria të jetë ashtu siç ishte edhe këtë vit mbi 100% të të hyrave dhe të dalave. Do tentoj që këto kërkesa të vendosen në përpilimin e buxhetit për këtë vit dhe jo në rebalanc”, tha Durmishi duke shtuar se kjo do të bëhet në bazë të mundësive financiare.

Përndryshe, siç deklaroi kryetari i Komunës, korniza buxhetore e vitit 2023 është 29.4 milionë euro, prej të cilave 19 milion janë bllok-dotacione që kanë të bëjnë kryesisht me shkollat dhe çerdhet, 2.2 milionë janë dotacione për realizim të projekteve të ndryshme, 7.2 milionë është buxheti bazë i Komunës së Teovës dhe 0.8 milionë janë të hyrat burimore të institucioneve përkatëse apo të hyrat vetëfinancuese.

Propozim-buxheti pritet të votohet nga këshilli komunal javës që vjen.

Debatin e plotë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button