600 deri në 800 euro “bileta”, RMV shkatërroi një rrjet trafikantësh të emigrantëve ilegal

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, nën udhëheqjen e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pjesëtarët e MPB-së kanë zhvilluar një aksion të koordinuar në disa lokacione në Komunën e Gazi Babës dhe Komunën e Studeniçanit. Në aksion u është hequr liria nëntë personave, mes tyre dy fëmijë mbi 16 vjeç në konflikt me ligjin, ndërsa dy persona janë në kërkim, njoftoi Prokuroria, transmeton Portalb.mk.

“Prokurori publik, duke vepruar sipas kallëzimit penal, ka lëshuar Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj 11 personave dhe procedurë përgatitore për dy fëmijët. Mes të dyshuarve është edhe një zyrtar policie, si dhe dy persona të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin me burg për veprën e kontrabandës me migrantë. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të gjithë të dyshuarit kanë kryer veprën e Organizimit të grupit dhe nxitjes së kryerjes së krimeve të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të fëmijëve dhe kontrabandës me migrantë nga neni 418-c dhe kontrabandës me migrantë nga neni 418-b të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në periudhën nga maji deri në tetor të këtij viti, i dyshuari i parë së bashku me tre persona të paidentifikuar shtetas të huaj me origjinë nga vendet arabe, të cilët herë pas here kanë qëndruar në territorin e vendit tonë, kanë bashkuar dhe organizuar një grup kriminal ndërkombëtar, si pjesë e një rrjeti kriminal ndërkombëtar për transferimin e paligjshëm të grupeve të migrantëve. Gjatë periudhës së theksuar, në disa raste të përshkruara në Urdhër, të dyshuarit kanë organizuar transferimin e paligjshëm të emigrantëve nga Afganistani, Pakistani, Siria, Kashmiri dhe India me qëllim të përfitimit pasuror.

Emigrantët, përfshirë të mitur, përmes kalimeve të paligjshme, të ashtuquajturat kufiri i gjelbër në rrethinën e Gjevgjelisë, Demir Kapisë dhe rajonit Kumanovë-Likovë, nga Republika e Greqisë dhe Republika e Serbisë janë bartur në territorin e Republikës së Maqedonisë, dhe më pas me ndihmën e të ashtuquajturve udhërrëfyes “kaçakë”, janë bartur në mënyrë të koordinuar në lokacione të përcaktuara dhe të dakorduara më parë nga ku anëtarët e dyshuar të grupit i kanë pranuar dhe i kanë transportuar me vetura në lokacionet e dakorduara paraprakisht dhe më pas i kanë bartur në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Serbisë në vendet e BE-së. Aktivitetet e kontrabandës janë zhvilluar në atë mënyrë që i dyshuari i parë, si organizator në mënyrë të paracaktuar dhe të konstatuar përmes komunikimit telefonik dhe internetit, së bashku me organizatorët nga vendet arabe, kanë planifikuar dhe rënë dakord për numrin e migrantëve që do të të transportohen në territorin e Republikës së Maqedonisë, vendndodhjen, kohën, si dhe vendin ku migrantët ishin gati për pranim dhe transport të mëtejshëm. Për shkak të patrullave dhe kontrolleve të intensifikuara policore në zonën e Gjevgjelisë dhe Demir Kapisë, “kaçakët” përmes aplikacioneve të internetit celulare u dërguan organizatorëve mesazhe me koordinata GPS për vendndodhjen aktuale, të cilat organizatorët më pas i ndanë me anëtarët e grupi.

“Për kontrabandim të suksesshëm të migrantëve nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë, i dyshuari i parë – organizatori i grupit përmes agjentëve për transfere të shpejta të Western Union dhe Ria, si dhe “në dorë” i janë paguar paratë të cilat më pas i ka shpërndarë mes anëtarëve të grupit të organizuar kriminal në varësi të rolit të tyre në kontrabandë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Për shkak të realizimit me sukses të kontrabandës, grupi i organizuar kriminal ka marrë në vazhdimësi mbështetje logjistike dhe mbështetje tjetër nga punonjësi i dyshuar i policisë, i cili qëllimisht ka ndihmuar në mënyrë tjetër duke dhënë informacione për vendin dhe kohën ku nuk do të kishte kontrolle policore, patrulla apo prita, përkatësisht ku përgjatë rrugës nëpër të cilën të dyshuarit po transportonin emigrantët, ka postblloqe policore.

Në periudhën e përmendur, ky grup kriminal ka transportuar ilegalisht të paktën 86 emigrantë.

Prokurori i lëndës, duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që justifikojnë frikën nga rreziku i arratisjes, se do të fshehin, falsifikojnë ose asgjësojnë gjurmët e veprës penale dhe se duke ndikuar mbi dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët do të pengojnë hetimin, si dhe frika se nëse mbrohen nga liria që do të përsërisë veprën, t’i paraqesin propozim gjyqtarit të procedurës paraprake dhe gjyqtarit për fëmijët për të caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button