Stojançe Angellov zbuloi planin e QMK-së për qentë endacakë: Qentë agresivë të pastrehë do të eutanazohen

Prioriteti i kapjes së qenve agresivë, strehimi ose eutanizimi i tyre, pastrimi, vaksinimi, sterilizimi i qenve të tjerë të pastrehë, forcimi i kontrolleve për të zbuluar të vërtetën në sulmet nga qentë e pastrehë, sterilizimet e dyshimta, janë disa nga pikat e diskutuara në takimet koordinuese për qentë endacakë në Qendrën për Menaxhim me Kriza, transmeton Portalb.mk.

Në mbledhjen e djeshme të gjashtë koordinuese të QMK-së, institucioneve qeveritare dhe organizatave joqeveritare për zgjidhjen e problemit të qenve të pastrehë, drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov, i përmblodhi diskutimet e deritanishme dhe theksoi se procedurat e dakorduara duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kudo që kemi qen që raportohet se janë agresivë, që sulmojnë, duhet t’u jepet përparësi në kapje, pastaj të pastrohen, të vaksinohen, të sterilizohen, të çipohen dhe të përpiqemi t’u gjejmë pronar. Pasi të gjejmë një person që do t’i pranojë këta qen, ata do të dorëzohen, por në rastin e fundit kur dikush nuk dëshiron të adoptojë një qen të caktuar agresiv, me një ekspertizë të përcaktuar më parë nga një ekspert i autorizuar, do të bëhet eutanizimi dhe nuk do të kthehet në rrugë. Bëhet fjalë për një numër të vogël të qenve agresivë të zbuluar”, tha Angelov.

Ai tha se për pjesën tjetër të qenve të pastrehë është planifikuar aksion që do të zgjasë rreth gjashtë muaj.

“Në një aksion masiv me angazhimin e të gjithë personave, të gjitha institucioneve, organizatave joqeveritare të kapen, më pas të pastrohen, të sterilizohen, të vaksinohen dhe të çipohen dhe të kthehen në rrugë. Në atë mënyrë është e mundur të kontrollohet në mënyrë më cilësore rritja e popullatës së qenve të pastrehë”, theksoi Angelov.

Drejtori i QMK-së, duke iu referuar problemit të gjoja raportimeve të rreme për sulme nga qen endacakë, theksoi se nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike është kërkuar që të bëjnë kontroll të shtuar për të vërtetën e sulmeve, pasi siç tha ai, shpesh ndodh që të kemi raportime të rreme për sulme me qen, ndërsa motivet mund të jenë monetare, personat që raportojnë se janë kafshuar nga qeni bëjnë lëndime fiktive dhe kështu marrin një përfitim të caktuar material.

Ai theksoi se një nga arsyet për të besuar në këtë fenomen është se pasi qyteti i Shkupit filloi të paguajë dëmshpërblim për personat e sulmuar, numri i raportimeve për sulme u rrit.

Angelov tha se në takime është diskutuar edhe për sterilizime të dyshimta të qenve të pastrehë, gjegjësisht se në rrugë mund të shihen qen të shënuar siç duhet që kanë çip se janë sterilizuar, por pas tyre ecin pesë apo gjashtë këlyshë.

“Kemi raste kur komuna të caktuara mbledhin qen me furgona dhe i çojnë në territorin e një komune tjetër. I kërkuam Ministrisë së Brendshme që t’i kushtojë më shumë vëmendje automjeteve që transportojnë qen të pastrehë. Ekziston mundësia që ky fenomen të jetë përhapur në tërë territorin e vendit”, tha Angelov.

Ai theksoi edhe problemin me braktisjen e qenve nga pronarët dhe tha se të njëjtit duhet të denoncohen.

“Problem tjetër është fshirja e njërit prej ligjeve për kundërvajtje, i cili parashikonte dënime për pronarët e qenve, të cilët sillen në mënyrë të papërgjegjëshme me qentë, përkatësisht i lënë të bredhin të pasigurt në rrugë dhe paraqesin kërcënim për sigurinë e qytetarëve”, theksoi drejtor i QMK-së.

Ai theksoi se Lidhja kinologjike ka bërë një propozim dhe ka kërkuar që t’u sigurohet shumë ku ata vetë do të ndërtojnë një strehë për qentë që duken si qen të racës së pastër, por që nuk janë qen të racës së pastër sepse nuk kanë origjinë.

Ndryshe, refuzimi i ndërtimit të strehimores rajonale të Pollogut për trajtimin e qenve endacakë në Komunën e Bërvenicës, ka vënë Komunat e Pollogut përpara një sfide të re. Ndonëse para disa kohësh u njoftua që Komuna e Vrapçishtit do të jetë lokacioni i ri, ende nuk dihet kur do të ndërtohet strehimorja. Strehimorja rajonale parashihet të ndërtohet me fonde ndërkombëtare dhe me mbështetje të komunave të Pollogut.

Kujtojmë se dy muaj më parë një qytetar nga Tetova u sulmua nga qentë endacakë, pas çka, mes qytetarit dhe kryetari të Komunës së Tetovës Bilall Kasami pati akuza dhe kundër akuza Kasami tha se ka informacione tendencioze, duke krijuar imazh të pavërtetë, si dhe përballje me veprime të pamatura nga qytetarët.

“I tillë është shembulli i disa ditëve më parë, në një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën nuk shihet nëse personi që është sulmuar nga qentë, i ka provokuar qëllimisht apo është gjetur me të vërtetë në një situatë të vështirë. Ndonëse personi ka pohuar se deri më tani është sulmuar disa herë, ai nuk ka dorëzuar asnjë raport për sulm në komunë, në Spitalin klinik apo në SPB Tetovë”, tha Kasami të shtunën.

Në  një video të dy muajve më parë shihej një qytetar duke u përballur me qen të shumtë endacakë dhe duke u përpjekur t’i heqë ata nga qeni i tij shtëpiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button