Dendias në Kosovë: Nuk duhet të lejojmë palët e treta që të shfrytëzojnë rastin e paqëndrueshmërisë në rajon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim në Prishtinë homologun e saj grek, Nikos Dendias, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Gërvalla tha se Dendias është ministri që frekuenton më së shpeshti Prishtinën zyrtare në kohën e fundit. Ajo tha se Greqia është aktor politik me përvojë të jashtëzakonshme në rajon dhe anëtari i parë i rajonit në Bashkim Evropian (BE) dhe në NATO.

Gërvalla tha se Greqia dhe Kosova në politikën e tyre të jashtme janë në një linjë, si dhe theksoi se në këtë takim është diskutuar për ekonominë, bashkëpunimin në të gjitha fushat e ekonomisë, anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës, si dhe për kulturën dhe hapat praktik të bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Roli i Greqisë është shumë i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet edhe me Serbinë, me qëllim që pastaj të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit”, theksoi Gërvalla.

Ministri Dendias, nga ana e tij, tha se BE-ja është destinacioni përfundimtar për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ai njoftoi se me ministren Gërvalla kanë diskutuar për energjinë pas pushtimit rus në Ukrainë, ku tha se Greqia është e gatshme t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe për zhvillimet e fundit në rajon.

Dendias tha se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme, por edhe marrëveshjet e deritanishme të arritura midis dy vendeve fqinje.

“Nuk duhet të lejojmë palët e treta që të shfrytëzojnë rastin e paqëndrueshmërisë në rajon, në këtë drejtim mbështesim rolin stabilizues të EULEX-it dhe mbështesim përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesin special të SHBA-së, Gabriel Escobar”, theksoi Dendias, i cili shtoi se gjithashtu prezantoi edhe përfaqësuesen greke për Ballkanin Perëndimor me ministren Gërvalla.

Vizita e ministrit Dendias në Kosovë është e katërta me radhë që prej kohës kur ai mori detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në korrik të vitit 2019.

Greqia është një nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, megjithëse krerë të institucioneve të këtij vendi janë shprehur pro integrimit të Kosovës në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button