Kushtet e Rakiqit për largimin e barrikadave

Në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka dërguar një porosi për kryeministrin Albin Kurti, duke numëruar se cilat janë kushtet për largimin e barrikadave në veri, raporton Kallxo.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës. Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat (pasojat)” – tha ai. “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë” – ka deklaruar Kurti për “The Guardian”.

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Kurti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar se “Kurti thërret në vrasjen e nënave tona, motrave, punëtorëve, mjekëve, profesorëve, të cilët ditë e natë në mënyrë paqësore luftojnë kundër terrorit të tij”.

“Ky kërcënim fatkeqësisht kalon pa përgjigje nga përfaqësuesit ndërkombëtar, që është e patolerueshme” – shtoi Rakiq raporton Kosovo Online.

Më tej ai ka thënë se deklarata e Kurtit “sygjeron vrasjen e serbëve në barrikada”.

“Narrativa anti-serbe e Prishtinës ka muaj që vazhdon dhe populli ynë e ka ndjerë në lëkurën e vet se sa shumë i intereson Prishtinës respektimi i të drejtave të popullit tonë dhe marrëveshjeve të nënshkruara. Deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Kurti haptazi sugjeron vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij barrikadat nuk mund të hiqen në asnjë mënyrë tjetër” –  deklaroi Rakiq.

Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që kanë bllokuar. Gjithçka filloi më 10 dhjetor 2022 kur u dha njoftimi zyrtar nga ana e Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulm në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kryerje të veprës penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Qytetarë të mbledhur me flamuj e thirrje nacionaliste në duar e disa nga ta edhe me maska në fytyrë, u panë duke protestuar të dielën, më 18 dhjetor, në pikën kufitare Jarinje në anën e Serbisë. Gjatë protestës, në një moment ia mësynë për të thyer kordonin e Policisë, mirëpo të njëjtit u ndalën nga Njësitë Speciale të Policisë serbe. Një nga protestuesit u arrestua e u dëgjua një mjet shpërthyes.

Në po këtë pikë kufitare në anën e Kosovës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR, kishte krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar. Në Jarinje ishin vendosur trupat amerikane të KFOR-it, ndërsa në Bërnjak ishin vendosur polakët dhe letenozët. Pas përfundimit të protestës, KFOR kishte treguar se kanë pasur informacione për grupe kriminale brenda protestuesve në Jarinje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave.

Tensionet në veri filluan të shtohen në nëntor kur Qeveria paralajmëroi fillimin e periudhës për shqiptimin e gjobave ndaj pronarëve të veturave me targa ilegale. Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor.

Më 6 dhjetor 2022, zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor janë sulmuar me shok-bomba dhe me një granatë dore që sipas Policisë ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet. Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244. Nga KFOR-i e kanë konfirmuar më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.

Derisa më 19 dhjetor, një ekip e një televizioni është fyer dhe është sulmuar me gurë nga persona të dyshuar në barrikadat e vendosura në Zubin Potok.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button